Site icon Telegrafi

Dy përleshje mes dy grupeve në Fushë Kosovë, një person plagoset me armë dhe tjetri lëndohet

Foto: Arkiv

Një person ka pësuar lëndime të rënda në këmbë nga arma e zjarrit dhe një tjetër ka marrë lëndime trupore gjatë dy përleshjeve mes dy grupeve të ndryshme në Fushë Kosovë, të ndodhura në dy ditë të ndryshme.

Ngjarjet janë raportuar nga Policia e Kosovës, e cila ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe përgjegjësitë.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur të shtunën 14.12.2024 rreth orës 23:30.

Po ashtu në raport thuhet se i plagosuri është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor, i cili më pas është liruar.

“Është raportuar për një përleshje në mes dy grupeve ku si pasojë një person mashkull kosovar është plagosur në këmbë nga arma e zjarrit, i cili pas tretmanit mjekësor në QKUK është liruar. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar dy gëzhoja”, thuhet në raport.

Ndërkaq, lidhur me rastin, janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

Ndërsa, të dielën rreth orës 18:00 u raportua për një tjetër përleshje në mes dy grupeve ku si pasojë lëndime trupore ka pësuar një person i cili është dërguar për tretman mjekësor në QKUK.

“Fushë Kosovë 15.12.2024-18:00.  Raportohet se pas një përleshje në mes dy grupeve, si pasojë lëndime trupore ka pësuar viktima mashkull kosovar i cili është dërguar për tretman mjekësor në QKUK. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, derisa njësitë policore janë duke u marrë me procedurat e mëtejme hetimore”, thuhet në raport. /Telegrafi/

 

 

 

Exit mobile version