Telegrafi

Dy nxënësit që u goditën nga rryma në “Faik Konica” në gjendje stabile, njëri ka djegie në sipërfaqen më të madhe trupore

Dy nxënësit e shkollës fillore “Faik Konica” në Prishtinë të cilët u goditën nga rryma kanë marrë djegie serioze në disa pjesë të trupit.  

Doktori kujdestar në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Ejup Govori në një prononcim për Telegrafin ka treguar për gjendjen aktuale të dy nxënësve.

Ai tha se gjendja e tyre momentale është stabile, mirëpo siç tha ai njëri prej tyre ka marr djegie serioze në sipërfaqe më të madhe të trupit.

“Gjendja e tyre momentale është stabile, dhe nga parametrat momentale janë me vetëdije. Mirëpo, lëndimet janë plagë djegëse serioze, të një shkalle më të rëndë. E, njëri i është nënshtruar operacionit, kirurgut plastik dhe pas operacionit do të transferohet në mjekim intensiv qendror. Kurse tjetri ka djegie më të ulët, d.m.th një sipërfaqe më të vogël, ai pranohet në kirurgji plastike për trajtim të mëtutjeshëm”, ka thënë Govori.

Doktori po ashtu tregoi se ku i kanë djegiet në trup dy nxënësit.

“Njëri që ka sipërfaqe më të vogël të djegies trupore i ka në shuplakë të dorës së djathtë dhe të shkallës 2A dhe 2B dhe tek bërryli i majtë, dhe kjo është një shkallë relativisht seriozë. Ndërsa, tjetri ka sipërfaqen më të madhe në shpinë, në dy ekstremitetet e poshtme dhe në shuplakë të dorës”, tha ndër të tjera Govori për Telegrafin.

Ndryshe, lajmin për rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Lexo po ashtu Dy nxënës goditen nga rryma elektrike në shkollën "Faik Konica" në Prishtinë, dërgohen për trajtim mjekësor

“Rreth orës 10:30 kemi pranuar informatën se në rrugën ‘George Bush’ në Prishtinë, dy persona (të mitur) janë goditur nga rryma elektrike. Personat janë dërguar për tretman mjekësor”, tha ajo për Telegrafin.

Ahmeti bëri të ditur që policia në koordinim me institucionet përkatëse po trajton rastin. /Telegrafi/