Site icon Telegrafi

Dy muaj pas vërshimeve, Ibrahimi: Në disa komuna ka filluar bartja e mjeteve për kompensimin e ekonomive familjare

Foto: Ilustrim

Shumë komuna të Kosovës në fillim të muajit janar u goditën nga vërshimet e reshjeve të shiut dhe borës, ku si pasojë u shkaktuan shumë dëme në infrastrukturë rrugore, në kulturat bujqësore, banesa dhe shtëpi banimi.

Për shkak të vërshimeve disa familje janë detyruar të evakuohen, ku disa komuna kanë shpallur edhe gjendjen emergjente.

Për kompensimin e dëmeve, drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi për Telegrafin ka thënë se, në disa komuna ka filluar bartja e mjeteve për pagesë të ekonomive familjare.

“Në kontaktet të cilat i kemi pasur gjatë ditëve të kaluara, kemi vërejtur se Ministria e Pushtetit Lokal në disa komuna ka filluar t’i bart mjetet vetëm në dëmet e ekonomive familjare, i cili është nënshkruar nga kryeministri në detyrë Avdullah Hoti. Hoti ia ka deleguar Ministrisë së Pushtetit Lokal ta bëj dhe vlerësimin ehe monitorimin e situatës në terren dhe pastaj t’i bart ato, kjo ka filluar të bëhet në nivelin lokal”, tha Ibrahimi.

Ai ka shtuar se ende nuk ka filluar kompensimi për bujqit dhe dëmet në infrastrukturë.

“Problemi është sa i përket kërkesave që mbulohen nga Ministria e Bujqësisë për sektorin për bujqit dhe nga Ministria e Infrastrukturës për dëmin në infrastrukturë, sepse kemi pasur dëme edhe në infrastrukturë”, ka shtuar ai.

Në mesin e shumë komunave që janë prekur rëndë nga vërshimet është Fushë Kosova, Drenasi, Malisheva, Gjakova, Kamenica dhe Vushtrria. /Telegrafi/

Exit mobile version