Site icon Telegrafi

Dy malazezë kapen duke kontrabanduar 850 kg kokainë në Australi

Dy marinarë malazezë u akuzuan në Perth si të përfshirë në kontrabandën e 849.5 kilogramëve kokainë nga Amerika e Jugut në Australinë Perëndimore. Prokurorët e atjeshëm pretendojnë se shtetasit malazezë e dinin që kokaina fshihej në anijen “ST Pinot” dhe se kishin planifikuar ta hidhnin në bregun e Fremantle për ta marrë nga një grup tjetër.

Gazeta australiane, The West raportoi se ishte kapiteni Milan Begoviç dhe Radovan Vujiçiq, citon rtcg.

Kapiteni dyshohet se udhëzoi anëtarët e tjerë të ekuipazhit që të ndryshonin kursin e anijes ndërsa ajo i afrohej portit, në mënyrë që të takonte anijen tjetër, sipas faqes zyrtare të Policisë Federale Australiane (AFP). Gjithashtu thuhet se shkëmbimi dështoi.

Më pas, marinarët dyshohet se u përpoqën të fshehin drogën duke mbushur një rezervuar, në të cilin ishte fshehur droga, me ujë dhe udhëzuan anëtarët e ekuipazhit që t’u jepnin informacione të rreme transportuesve.

Nëse shpallen fajtorë, ata përballen me një dënim maksimal me burgim të përjetshëm. AFP shkruan se droga u gjet më 25 maj dhe anija po lundronte nga Amerika e Jugut.

Mediat raportojnë se kjo është një nga konfiskimet më të mëdha të drogës në Australi. Vlera e kokainës së sekuestruar në tregun e zi llogaritet në rreth 375 milionë dollarë australianë. /Telegrafi/

Exit mobile version