Telegrafi

Dy ekzemplarë të Kuranit i hedh në shportë të mbeturinave, një tjetri i vë flakën – lideri i grupit “Ndalni Islamizimin e Norvegjisë” sulmohet nga turma

Lideri i grupit kundër “islamizimit” të Norvegjisë është sulmuar nga disa persona gjatë demonstratës, ku kishte djegur librin e shenjtë – Kuranin. Në videot amatore shihet se si policia detyrohet të ndërhynë për ta qetësuar situatën.

Demonstratat e organizuara në qytetin Kristiansand nga grupi “Ndalni Islamizimin e Norvegjisë” ndryshe e njohur si SIAN, eskaluan kur lideri i grupit Lars Torsen refuzoi t’i nënshtrohet urdhrave të policisë që të mos e djeg librin e shenjtë, transmeton Telegrafi.

Megjithatë këto protesta ishin lejuar të organizohen nga autoritetet lokale, por policia kishte paralajmëruar SIAN që të mos e djegin Kuranin, pasi ky grup kishin paralajmëruar se do ta bëjnë një gjë të tillë.

Gjatë demonstratave dy ekzemplarë të librit fetar janë hedhur në shportën e mbeturinave, kurse një tjetri Torsen i vuri flakën. E ky veprim zemëroi kundërshtarët e këtij grupi, që kapërcyen rrethojat dhe sulmuan liderin e SIAN-it.

Në video shihen se si Torsen e gjuan Kuranin derisa një burrë i paidentifikuar e akuzon për këtë veprim, madje arrin ta kapë dhe ta tërheqë zvarrë. Por ishte reagimi i shpejtë i policisë që evitoi dhunën, që sigurisht se do të kishte pasoja të mëdha po të kishte vazhduar ky konfrontim.

Në pranga të policisë në fund të kësaj ngjarje ka përfunduar Torsen si dhe personat që e sulmuan. Një video tjetër shfaq Torsenin me pranga në duar. Në anën tjetër liderët e myslimanëve në Norvegji, kanë paralajmëruar se planifikojnë të ngritin padi kundër SIAN-it për djegien e Kuranit. /Telegrafi/