Lideri i një partie populiste të ekstremit të djathtë u sulmua të hënën në qytetin verior të Groningenit, dy ditë përpara zgjedhjeve të përgjithshme në Holandë.
Thierry Baudet, lideri i Forumit për Demokraci, u dërgua në spital, tha partia në një mesazh në rrjetin social X, transmeton Telegrafi.
“Duket se gjithçka do të jetë mirë”, tha partia.
Baudet më vonë u raportua se ishte ekzaminuar nga një kirurg, pasi u godit në pjesën e pasme të kokës dhe pranë syrit me një shishe birre. I lënduar ka mbetur edhe një roje sigurie.
Dutch far-right leader Thierry Baudet attacked with bottle 2 days before election, taken to hospital pic.twitter.com/gY5ediw7Fg
— BNO News (@BNONews) November 20, 2023
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Baudet shihet në një pijetore në momentin kur po bënte një selfie dhe më pas sulmuesi e godet me një shishe qelqi. Baudet u mor me shpejtësi, dhe sulmuesi u mposht, shkruan AP.
Zëdhënësi i policisë Thijs de Jong, tha se një person u arrestua nën dyshimin për përfshirje në sulm. Ai tha se motivi është duke u hetuar.
“Ajo që mund të them në këtë pikë është se Baudet u godit në kokë, ndoshta me një objekt”, tha De Jong.
Ai theksoi se nuk mund të jep detaje të tjera apo të komentonte mbi gjendjen e Baudet, i cili po kandidon për të ruajtur vendin e tij në parlament. /Telegrafi/