Dy burra britanikë dhe një adoleshent i një shtetasi të tretë britanik ishin midis 95 njerëzve të vrarë në sulmin terrorist dje jashtë aeroportit të Kabulit, tha Sekretari i Jashtëm, Dominic Raab.
Siç ishte raportuar, sulmi vetëvrasës u realizua nga ISIS-K, një degë e të ashtuquajturit grupit Shteti Islamik, përcjell Telegrafi.
Raab tha: “Unë u trishtova shumë kur mësova se dy shtetas britanikë dhe fëmija i një shtetasi tjetër britanik u vranë nga sulmi terrorist i djeshëm, dhe dy të tjerë u plagosën”.
Të tre viktimat ishin nga tre familje të ndryshme, të gjitha duke pritur jashtë aeroportit duke u përpjekur të kenë qasje në një fluturim evakuimi nga Afganistani pas marrjes nën kontroll të talebanëve.
Siç bëhet e ditur më tej, një shtetas tjetër britanik u plagos. Ky person u transferua në aeroport, u trajtua nga mjekët ushtarakë dhe është vendosur të evakuohet në Mbretërinë e Bashkuar.
Një person i dytë – një fëmijë afgan – me lidhje me një familje në Mbretërinë e Bashkuar u plagos dhe po trajtohet në një spital në Kabul.
Një informatë e tillë vjen pasi zyrtarët e Pentagonit thanë se nuk kishte shpërthim të dytë në sulm – duke shtuar se ishte e rëndësishme të “korrigjonte të dhënat”. /Telegrafi/