Telegrafi

Gjashtë aksidente të njëpasnjëshme në Komoran të Drenasit

Si shkak i motit me shi, është rritur numri i aksidenteve në komunikacion.

Këtë të diel, gjashtë aksidente të njëpasnjëshme kanë ndodhur në magjistralen Prishtinë-Pejë.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë, Bajram Krasniqi.

“Një distancë prej 1 km (Korreticë, Parku i Biznesit) në një interval kohor prej 50 min (16:00-16:50), kanë ndodhur gjashtë aksidente trafiku”, tha Krasniqi.

Sipas tij, në dy aksidente janë përfshirë nga tri vetura, kurse në katër aksidente tjera janë të përfshira nga dy vetura.

Ai shtoi se nga këto aksidente gjashtë persona kanë pësuar lëndime dhe kanë pranuar tretman mjekësor.

Sipas fotografive të dërguara nga lexuesit, një veturë shihet së është rrokullisur dhe dalë nga rruga, ndërkaq të tjerat e përfshira të dëmtuara në rrugë.

Ndërkaq, si shkak i këtyre aksidenteve është krijuar edhe kolonë automjetesh.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e policisë në rajonin e Drenasit dhe po merren me rastin. /Telegrafi.