Telegrafi

Dwayne Johnson përfshihet në garë për rolin e James Bondit

(Foto: Twitter)

Në edicionin e ri të serisë së videove Esquire’s Explain This, aktori i njohur Dwayne ‘The Rock’ Johnson, ka përfshirë emrin e tij si kandidat në garën për James Bondin e ri.

Videoja e Esquire fillon me yllin hollivudian që shpjegon lidhjen e familjes së tij me filmat për agjentin e famshëm sekret.

“Po, gjyshi im ishte një kundërshtar i Bondit në ‘You Only Live Twice’ me Sean Connery. Shumë, shumë i lezetshëm”, ka deklaruar ai, duke iu referuar aktorit Peter Maivi, i cili ka luajtur një rol të vogël negativ.

“Unë do të doja të ndjek hapat e tij dhe të jem Bondi i ardhshëm. Nuk dua të jem një karakter negativ. Duhet të jem një Bond”, është shprehur Johnson.

Gara për këtë rol është aktualisht e hapur, pasi epoka 15-vjeçare e Daniel Craig si agjenti 007 përfundoi muajin e kaluar me publikimin e “No Time To Die”.

Ndërkaq, karakteristikat e Bond nuk janë rreptësisht të kufizuara, por ka disa kërkesa që një agjent i ardhshëm duhet të plotësojë.

Producentja Barbara Broccoli ka thënë për Variety se karakteri i ri duhet të jetë burrë, por nuk duhet të kufizohet vetëm te të bardhët.

Megjithatë, ka një pengesë që ‘The Rock’ mund të hasë në garën për këtë rol dhe kjo është kërkesa që James Bond të mbetet britanik.

Tom Hardy, Henry Cavill dhe Tom Hopper janë kandidatë kryesorë për këtë rol, ndërsa në listë janë edhe Idris Elba, Jamie Bell e Rege-Jean Page. /Telegrafi/