Site icon Telegrafi

DW: Synimet e Turqisë për superfuqi – Erdogani hedh zjarr në jug të Kaukazit

Manovrat e përbashkëta ushtarake mes Turqisë dhe Azerbajxhanit janë një paralajmërim i qartë për armikun e përbetuar Armeninë. Pas Sirisë dhe Libisë, Ankaraja dëshiron tani të zgjerojë pushtetin e saj në jug të Kaukazit.

Turqia e konsideron veten si fuqi mbrojtëse të ish-republikës sovjetike të Azerbajxhanit. Popullsitë e të dy vendeve kanë ngjashmëri etnike dhe gjuhësore. Shumë shpejt pas shpalljes së pavarësisë së shtetit të vogël në Detin Kaspik në vitin 1991, u shpall doktrina “dy shtete, një komb”. Si Bakuja dhe Ankaraja i nënvizojnë marrëdhëniet e tyre bilaterale me këtë slogan.

Që nga mesi i viteve 1990, trupat e Azerbajxhanit dhe të Armenisë kanë pasur përplasje të rregullta ushtarake që shkojnë nga incidentet në kufij deri në luftëra të vërteta për rajonin e Nagorni-Karabahut, i cili ndërkombëtarisht njihet si pjesë e Azerbajxhanit, por që Armenia e konsideron si shtet të pavarur.

Pas një konflikti ushtarak mes të dy vendeve, rajoni i Nagorni-Karabahut është që nga viti 1994 nën kontrollin e Armenisë.

Përleshje e re, Ankaraja pozicionohet

Më 12 korrik pati sërish një përplasje tjetër të përgjakshme mes Armenisë dhe Azerbajxhanit në provincën veriore armene të Tavushit.

Sipas informacioneve zyrtare pati 17 të vrarë, kryesisht ushtarë. Të dyja vendet fajësojnë njëra-tjetrën.

Ankaraja reagoi me retorikë të ashpër duke u pozicionuar në anën e Azerbajxhanit dhe ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, fajësoi vetëm Armeninë për incidentin. Por këtë herë qeveria turke nuk u mjaftua vetëm me fjalë.

Nga 1 deri më 10 gusht dy vendet aleate do të zhvillojnë manovra të përbashkëta ushtarake në afërsi të Bakusë dhe të Nagorni Karabahut, me pjesëmarrjen edhe të helikopterëve të Forcave Ajrore Turke.

Kërcënim për stabilitetin dhe sigurinë

Drejtoresha e qendrës “Insight Centre for Data Analytics”, Anna Karapetjan e konsideron manovrën si sinjal të rrezikshëm.

Pas retorikës së pashembullt agresive, Turqia po nis një manovër ushtarake, e cila nuk do të kontribuojë për më shumë siguri dhe stabilitet në rajon”, tha politologia.

“Turqia është një faktor destruktiv në konfliktin në Nagorni-Karabah”.

Mbështetja ushtarake turke duhet kuptuar si kërcënim për Armeninë dhe duhet të ndëshkohet nga bashkësia ndërkombëtare, thotë Karapetajan.

Kurse Hakki Casin nga Universiteti Yeditepe i Stambollit, e mbështet manovrën e përbashkët ushtarake, në të cilin marrin pjesë njësitë tokësore, ato ajrore si dhe forcat speciale.

“Turqia po përpiqet ta përdorë fuqinë ushtarake për të siguruar paqen dhe stabilitetin në rajon”, tha eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Ankaraja dëshiron të sigurojë thesaret e gazit

Ankaraja e mbështet vendin e vogël në Detin Kaspik edhe për arsye ekonomike: së bashku me Gjeorgjinë, Azerbajxhani është një korridor i rëndësishëm energjetik për Turqinë. Gazsjellësi transanatolian, ai transkaukazian dhe i Kaukazit të Jugut kalojnë nëpër këto dy vende.

Përmes tyre, gazi natyror kalon nga Deti Kaspik në rrjetin e shpërndarjes së gazit në Turqi.

Ankaraja po i shton përpjekjet për të zvogëluar varësinë për energji nga gazi rus dhe Azerbajxhani është bërë vitet e fundit një nga furnizuesit më të rëndësishëm të energjisë për Turqinë.

Ankaraja dhe Moska përballë përsëri

Fakti që Ankaraja po e merr gjithnjë e më tepër në mbrojtje Azerbajxhanin po ndiqet nga Kremlini me sytë e Argusit.

Eksperti turk për Rusinë, Kerim Has nga Moska thotë se nuk mendon që manovra e tanishme ushtarake do të shkaktojnë tensione midis Ankarasë dhe Moskës.

Por megjithatë situata mund të ndryshojë shpejt, sepse “ka dëshmi në rritje që qeveria turke dëshiron të krijojë një bazë të përhershme ushtarake në Azerbajxhan”.

Dhe sipas ekspertit kjo do të sillte një potencial serioz konflikti midis Ankarasë dhe Moskës.

Arsyeja e qëndrimit skeptik të qeverisë ruse ndaj aspiratave të Ankarasë është se edhe Moska bën biznese në rajon.

Kompanitë energjetike ruse si Gazprom kanë monopolin e furnizimit me gaz për Armeninë dhe Nagorni- Karabahun.

Dhe jo vetëm kaq: Rusia e sheh veten si forcë mbrojtëse të Armenisë, armikut për kokë të Azerbajxhanit.

Forcat e armatosura ruse kanë në Armeni që nga viti 1995 një bazë ushtarake dhe ajo gjendet vetëm 15 kilometra larg kufirit turk. /DW/

Exit mobile version