Site icon Telegrafi

“Dush i ftohtë” për nacionalistët serbë – kryeministri i ri i Malit të Zi thotë se ndikimi i Beogradit do të jetë “zero”

Kryeministri i ri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, në deklaratën e tij të parë pas zgjedhjes së qeverisë së re mëngjesin e sotëm, është pyetur se sa do të ketë ndikim Beogradi në punën e qeverisë së tij.

Dhe përgjigja e tij, sigurisht ka qenë një “dush i ftohtë” për nacionalistët serbë – pasi ai ka thënë se një ndikim i tillë do të jetë “zero”.

Sipas mediave në gjuhën serbe, përcjell Telegrafi, ai gjithashtu është pyetur se sa ndikim ka pasur Beogradi në formimin e Qeverisë së Malit të Zi – për të cilën gjë ai është përgjigjur “njëjtë” – pra fare.

Lexo po ashtu Tre prej tyre shqiptarë, këta janë disa nga ministrat e Qeverisë së re të Malit të Zi

Ai tha gjithashtu se programi i reformës “Europe Tani 2”, i cili përfshin rritjen e pagës mesatare deri në 1000 euro, do të zbatohet plotësisht, siç ishte paralajmëruar në fushatën zgjedhore dhe “pa asnjë presje”.

Ai theksoi se mbështetja e 46 deputetëve për kabinetin e tij është më e larta që ka pasur deri më tani një qeveri në Mal të Zi.

Ndryshe, pas një diskutimi që zgjati gjithë natën – ndërmjet të hënës dhe të martës – deputetët e Kuvendit të Malit të Zi kanë votuar për qeverinë e 44-të të vendit.

Për Qeverinë kanë votuar 46 deputetë, kundër 19 dhe një abstenoi.

Lexo po ashtu Pas një debati që zgjati gjithë natën, votohet Qeveria e re e Malit të Zi – Milojko Spajiq kryeministër

Me këtë, Spajiq edhe ka marrë mandatin e kryeministrit ndërsa sa i përket partive shqiptare, Nik Gjeloshaj është zëvendëskryeministër për Politikat Ekonomike dhe ministër i Zhvillimit Ekonomik, Fatmir Gjeka është ministër për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve dhe Marash Dukaj është ministër i Administratës Publike.

Në seancën e Kuvendit mori pjesë edhe presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq.

Ndërkohë të hënën, kryetari i Demokracisë së Re Serbe (NSD) dhe një nga liderët e koalicionit Për Ardhmërinë e Malit të Zi (ZBCG), Andrija Mandiq u zgjodh kryetar i Parlamentit të Malit të Zi. /Telegrafi/

Exit mobile version