Një person është plagosur me armë zjarri në qytetin e Durrësit, mbrëmjen e kësaj të hëne në zonën e plazhit.
Mësohet se i plagosur ka mbetur shtetasi Rexhep Terziu i moshës 45 vjeç, i cili ka marrë plagë në këmbë.
I plagosuri është jashtë rrezikut për jetën. Ende nuk dihen rrethanat e ngjarjes, ndërsa policia dhe ambulanca mbërritën në vendin ku ndodhi plagosja, raportojnë madiat.
Policia e Durrësit zbardh ngjarjen e mbrëmjes së sotme në zonën e plazhit, aty ku mbeti i plagosur me armë zjarri një person.
Sipas policisë një person i armatosur ka tentuar të vjedhë një banesë, por pasi pronari Rexhep Terziu dëgjoi zhurma, shkoi për të vëzhguar, duke u përballur me autorin, i cili ka qëlluar me armë zjarri, ku një nga plumbat e ka kapur në pjesën e këmbës.
Deklarata e plotë:
Më datë 10.02.2020, rreth orës 20:30, në lagjen Nr.13 Plazh, një person ende i paidentifikuar, ka hyrë për të vjedhur në banesën e shtetasit R.T.
Në tentativë për të vjedhur, por që është diktuar nga të zotët e banesës, personi ka plagosur në këmbë jashtë rrezikut për jetën të zotin e banesës shtetasin R.T, 42 vjeç, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
Personi nuk ka mundur të kryejë vjedhjen por është larguar me shpejtësi.
Shërbimet e Policisë kanë mburritur menjëherë në vendngjarje, dhe vijon krehja e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorit
Janë ngritur pika kontrolli dhe me lëvizje për të kontrolluar dhe identifikuar personat e dyshuar.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje ku po administron çdo provë sado të vlefshme që do ti shërbejnë zbardhjes së ngjarjes, identifikimit dhe kapjes së autorit.