Ditën e sotme (e enjte) i është dhënë lamtumira e fundit yllit të kinematografisë kosovare, Leze Qenës.
E ndjera u varrosë në varrezat e qytetit të Prishtinës në Dragodan, ndërsa në varrimin e saj në mesin e familjarëve dhe miqve e pranishme ishte edhe Ministrja në detyrë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi.
Kjo e fundit ka ndarë në rrjetin social, Facebook, disa fotografi nga ceremonia e varrimit duke i dhënë lamtumirën e fundit aktores së mirënjohur.
“Skenën e teatrit e mbylle, dashurinë e madhe e le tek ne – Lamtumirë, Leze Qena”, ka shkruar në postimin e saj Dumoshi.
Dumoshi në një prononcim të bërë për media ditën e djeshme potencoi se pas kësaj situate të krijuar nga COVID-19, MKRS do të kujdeset që të organizohet një mbledhje komemorative në nder të artit të saj.
Ikona e aktrimit ndërroi jetë në moshën 85-vjeçare në QKUK, e cila kohëve të fundit ishte larguar nga angazhimet artistike për shkak të problemeve shëndetësore.
Ajo ka lënë pas një bagazh të pasur artistik, ikja e së cilës do të lërë një zbrazëtirë të pazëvendësueshme për artin dhe kulturën në vend.
Të shumta po ashtu kanë qenë edhe ngushëllimet nga miqtë, kolegët dhe personazhet publike që do e përkujtojnë gjithmonë. /Telegrafi/