Site icon Telegrafi

Duke udhëtuar me Nikos Kazantzakisin, në hapësirë dhe kohë

Nga: Maklena Nika

Më 26 tetor 1957, Greqia dhe mbarë bota do të vajtonte humbjen e një shkrimtari universal, Nikos Kazantzakis, i cili nuk ishte vetëm shkrimtar, por edhe filozof, dhe mbi të gjitha një rrugëtar i palodhur në kërkim të konceptit të lirisë. Nëse do t’i referoheshim fjalëve të vetë autorit se Idealja për mua do të ishte tetë muaj udhëtime dhe katër muaj vetmi, do të kuptonim më mirë dëshirën e tij të zjarrtë për të eksploruar qytetërime, histori dhe kundërshti të panjohura për shpirtin e tij. Një rrugëtar shekullor i hapësirës dhe i kohës, një Odise i ditur dhe luftëtar, i cili iu përkushtua me zell të madh shkrimit të këtyre shënimeve të udhëtimeve.

Lexo po ashtu:
“Zorba”, nga romani në film
Tundimi i Kazanxaqisit
Dimensioni universal i veprës letrare të shkrimtarit grek Nikos Kazantzakis
Zemra

Tek Udhëtim nëpër Kinë dhe Japoni, vende në të cilat Nikos Kazantzakis udhëtoi në vitet 1935 dhe 1957, përshkruhet me imazhe të forta, reale dhe imagjinare, një fytyrë tjetër e Kinës dhe Japonisë. Në këto vende të largëta, Kazantzakis formëson konceptet e tij të para për Lindjen, kuadrin surrealist dhe vibrant të harmonisë së munguar në çdo cep saj, në kundërshti të plotë me Perëndimin. Për të, Japonia ishte geisha e kombeve që buzëqeshte në mënyrë misterioze përmbi ujërat e largët. Atij do t’i mjaftonin vetëm dy fjalë për të depërtuar në labirintet e saj: “sakura” – lulja e qershisë, dhe “kokoro” – zemër.

Tek Udhëtim nëpër Rusi ai përshkruan përshtypjet e tij përgjatë tre udhëtimeve të ndryshme në Rusi (1925-1926, 1927, 1928-1929), ku e fokuson vëmendjen e tij në çështje ideologjike, qytetërimi dhe shoqërore të vendit, duke përshkruar peizazhe dhe pamje ose duke bashkëbiseduar me personazhe reale dhe imagjinare, përfaqësues të botës letrare, artistike dhe politike. Me një kujdes të admirueshëm, ai studion historinë, gjeografinë dhe besimin fetar, ndërsa njëkohësisht vëren ndërgjegjen kombëtare të Rusisë, mentalitetin dhe botëkuptimin e njerëzve të saj. Ai i referohet disa qyteteve të caktuara të shtetit rus, analizon ide dhe koncepte të cilat burojnë nga shpirti i njerëzve të artit dhe të letrave të historisë dhe letërsisë ruse. Ai pranon një admirim të veçantë për Dostojevksin dhe Tolstoin, për të cilët ka shkruar: Dy ishin dragonjtë rusë që na rrëmbyen gjatë viteve mitike të rinisë sonë, Tolstoi dhe Dostojevksi. Këta të dy ishin si baballarë për ne.

Tek Udhëtim nëpër Angli, Kazantzakis përshkruan përshtypjet e tij gjatë udhëtimit të tij në vitin 1939. Që në fillim të veprës, ai saktëson arsyet e këtij udhëtimi – dëshiron të zbulojë tokën angleze dhe psikosintezën e saj, gjë e cila është në harmoni të plotë me kërkimin e vazhdueshëm të shpirtit të tij, sikurse shprehet se çdo tokë e re ku shkelim mund dhe duhet të bëhet shkak që shpirti ynë të zgjerohet. Kazantzakis befasohet mjaft nga Britania e Madhe, ndërsa shkruan se përgjatë shekujve, në këtë ishull të gjelbër, thelbi i njeriut kaloi nga tre beteja vendimtare dhe doli fitimtar. Beteja e parë e ka emrin Xhentëlmen pasi njeriu luftoi të çlirohet nga skllavëria e fqinjit, e arkonit dhe e mbretit. Ai duhet të ravijëzojë sa më shumë të mundet rrethin e gjerë të lirisë njerëzore përreth tij. Beteja e dytë quhet Manga Carta, pasi njeriu luftoi të përfitojë sa më shumë privilegje politike dhe ekonomike, liri, të kufizojë arbitraritetin e mbretit, të gjykojë me përfaqësuesit e tij dhe të vendosë për interesat e bashkisë njerëzore. Beteja e tretë mbart emrin e Shekspirit, sepse shpirti suprem luftoi, shpirti të cilin e krijuan katër racat e Anglisë – keltët, saksonët, vikingët dhe normanët. Ky shpirt u çlirua nga fenomenet që skllavërojnë thelbin, u zgjerua mes pasioneve dhe interesave, virtyteve dhe keqdashjeve.

Tek Udhëtim nëpër Spanjë (1926, 1932-1933, 1936), mes përshkrimeve të vendit, hapësirës dhe kohës, ndërsa e pushtojnë mendimet dhe shqetësimet e thella, ai reflekton mbi pasojat e luftës civile dhe degradimit të trupit dhe shpirtit të njeriut. Në fillim të librit ai depoziton një referencë personale kur shkruan se udhëtimi dhe rrëfimi (dhe krijimi, i cili është forma më sublime e rrëfimit) kanë qenë dy gëzimet më të mëdha në jetën time. Në Spanjën mahnitëse, ai mendon vazhdimisht për bashkëpatriotin e tij grek nga Kreta, Domenikos Theotokopoulos (El Greco), të cilin e kërkon në dheun, në qiellin, në diellin dhe në ajrin e vendit spanjoll, duke iu referuar artit të piktorit të madh kur shkruan se Portretet e Grecos kanë një intesitet kaq të madh sa rrëqethesh i tëri kur i sheh, si të shohësh se nga sfondi i zi po vjen kalorësi i vjetër. Greco e konsideronte trupin e njeriut si një pengesë, por njëkohësisht edhe si mjetin e vetëm për shprehjen e shpirtit.

Tek Udhëtim nëpër Itali, Egjipt, Sinai, Jerusalem, Qipro dhe More, përshkruhen përshtypjet e tij të udhëtimeve në këto vende, dhe më konkretisht në Itali (1926), Egjipt (1927), Sinai (1927), Jerusalem (1926), Qipro (1926), More (1937). Në këtë rrugëtim të gjatë, Kazantzakis kërkon me ankth në rrënjët shoqërore çlirimin e ekzistencës njerëzore, duke projektuar me entuziazëm shqetësimet e tij thelbësore – lirinë, atdheun dhe zotin. Në fillim të librit, ai përpiqet të shpjegojë zërin e brendshëm që e ndoqi nga pas përgjatë udhëtimit të gjatë të krijimtarisë së tij. Ai shprehet se Ky zë i pamëshirshëm – bashkërrugëtari im Tigri – më shoqëronte, edhe pse më urrente, në të gjitha udhëtimet e mia. Gjithçka e pamë bashkë. Hëngrëm dhe pimë të dy në tryezat e mërgimit, u lënduam të dy, të dy shijuam male, gra, ide”. Kazantzakis nuk ka frikë të rrëfejë gëzimin kur përshtatet dhe ambientohet me egërsinë e natyrës së Tigrit, me qëllimin për të shfaqur forcën e Krijimtarisë Poetike. Ai shprehet se oh, çfarë gëzimi është ky, o zot, të jetosh dhe të shohësh dhe të luash me Tigrin e madh dhe të mos kesh frikë. Dhe një mëngjes të ngrihesh e të thuash – Fjalët! Fjalët! Tjetër shpëtim nuk ka! Në pushtetin tim nuk kam veçse njëzet e katër ushtarë prej plumbi, do të shpall mobilizimin, do të ngre ushtrinë, do të dal fitimtar ndaj vdekjes!

Ai ndalet në Lindje duke e përshkruar atë me një ndjeshmëri dhe thellësi mendimi, aktual edhe në ditët e sotme: Kjo është Lindja, ashtu siç e dashurojmë – e mbushur me dritë, ngjyra, aroma, papastërti dhe hi prej brezave të panumërt që u shfaqën nga baltërat e lumit dhe u thanë si tjegullat nën diell, dhe më pas u kthyen sërish në baltë …

Të udhëtosh me Kazantzakis, do të thotë të udhëtosh me veten, të jesh në kërkim të vetes dhe kohës së humbur të Marcel Proustit. Do të thotë të ndjesh erëmimet e Kleopatrës dhe misteret e piramidave, të përjetosh luftën e ndërgjegjes për të prekur Hyjnoren apo ndjenjën e ëmbël dhe të ngrohtë të buzëmbrëmjes qipriote që frymëzon çdo Afërditë për të qënë më femërore se kurrë, si një Helenë e pavdekshme që fle vetëm nëpër ëndrra, e gatshme të shkaktojë luftëra ndërmjet fjalëve.

Bashkë me autorin, ne udhëtojmë dhe reflektojmë për magjinë e botës ku jetojmë, për pafundësinë dhe misterin e saj. Do të kërkojmë të shkojmë menjëherë në vendet që sapo lexuam, të përshkruara aq bukur, me aq hollësi gjeografike, historike, filozofike, antropologjike, sa na duket sikur kemi në duar një hartë të mrekullueshme që do të na shoqërojë në rrugëtimin tonë të ardhshëm, pa patur frikë nga e panjohura. Do të gjejmë aktualitete të zhvillimeve të sotme historike, ekonomike, globale nëpër mbarë botën. Do të kërkojmë të arrijmë edhe ne në përfundimet tona. Cili do të jetë përfundimi ynë? Do të ndjehemi të lirë, duke mohuar frikën dhe shpresën? Apo do të ndjehemi të lirë duke i pranuar ato, por me kushtin e vetëm që rruga jonë drejt Itakës të jetë e realizueshme deri në fund? /Gazeta “ExLibris”/

 

Exit mobile version