Telegrafi

Duke i ikur policisë rrokullisen, Policia gjen drogë në veturë dhe arreston dy persona (Foto)

Në veturën e rrotulluar në afërsi të TC Kosova B, sot pasdite, Policia ka gjetur substanca të dyshuara narkotike të llojit marihuanë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha ka konfirmuar se të premten rreth orës 17 e 30, në rrugën e Llapit, në Komunën e Obiliqit, janë arrestuar dy persona të dyshuar.

Ai ka theksuar për Telegrafin se vozitësi i veturës nuk kishte ndaluar te policët, me ç’rast pas kësaj ishte lokalizuar vetura dhe ishin arrestuar dy persona.

“Pas arrestimit, në vetura janë gjetur sasi të narkotikëve. Personat e dyshuar janë arrestuar në stacionin policor, ndërsa  njësitet policore duke përfshirë edhe ato të antidrogës janë në proces të trajtimit të rastit”, ka thënë Hoxha.

Ndërkaq, Njësiti i Antidrogës, Njësitë relevante të Forenzikës, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë bërë ekzaminimin e veturës dhe të gjitha gjërat e dyshimta.