Klubi nga Klina, Dukagjini ka njoftuar me anë të një komunikate zyrtare se ka ndërprerë bashkëpunimin me plot shtatë lojtarë.
Ekipet nga Superliga e Kosovës janë duke u bërë tashmë gati për nisjen e sezonit pranveror 2021/22 dhe po bëjnë tashmë disa ndryshime.
Përveç transferimeve, klubet po punojnë edhe për largimin e disa prej lojtarëve të cilët i cilësojnë të panevojshëm për vazhdimin e kampionatit.
Njëri nga klubet padyshim se është edhe Dukagjini nga Klina, i cili ka njoftuar ndërprerjen e bashkëpunimit me shtatë lojtarë.
“Klubi futbollistik Dukagjini ju njofton se e kanë ndërprerë bashkëpunimin me marrëveshje të dyanshme me këta futbollistë: Ermal Vitija, Rinor Kuqi, Erblind Mulaj, Amer Duka, Jozef Kuqi, Moriba Lamah, Mhill Grabanica”.
“Ne e shfrytëzojmë rastin të falënderojmë secilin nga këta futbollistë që ishin pjesë e jona duke dhënë kontributin e tyre dhe njëherit duke ju dëshiruar shëndet dhe shumë suksese në vazhdim”, thuhet në komunikatë.
Klubi nga Klina në fund ka njoftuar se gjatë ditëve të ardhshme do të njoftojnë edhe për transferimet e reja që kanë bërë për sezonin pranveror. /Telegrafi/