Mesfushori Met Millaku pritet të jetë lojtari më i ri i nën-kampionit vjeshtor të Kosovës, Feronikelit.
Skuadra nga Drenasi nuk ka qëndruar duarkryq në këtë afat kalimtar të dimrit pasi flitet se tashmë ka arritur një transferim.
Është fjala për lojtarin e ri nga Klina, mesfushorin Met Millaku, i cili vjen nga skuadra e Ligës së Parë, Dukagjini.
Është vet ekipi nga Klina që ka zyrtarizuar tashmë kalimin e lojtarit të tyre te Feronikeli.
“Futbollisti klinas shumë i talentuar është larguar ne drejtim të Superligës, te skuadra e Feronikelit”.
“Mesfushori Millaku gjatë pjesës sa ishte në klubin tonë tregojë shumë nga aftësitë e tij të cilat u vrenjtën edhe nga shumë klube të Superligës dhe në fund vendosi për Feronikelin”.
“Ne e falënderojmë Metin dhe i dëshirojmë sukses gjatë sezonit pranveror”, thuhet në njoftimin e Dukagjinit.
Ndryshe, klubi nga Drenasi ende nuk e ka zyrtarizuar transferimin e Millakut, por pritet ta bëjë gjatë ditëve të ardhshme. /Telegrafi/