Site icon Telegrafi

Dukagjin Lipa flet për ‘Sunny Hill’: Deri më tani festivali nuk ka pasur përkrahje nga shteti, Prishtinës ia sjell 20 milionë euro qarkullim

Dukagjin Lipa (Foto: 3GO Podcast/YouTube)

Organizatori i njohur i festivalit “Sunny Hill” në Kosovë, njëherësh babai i këngëtares me famë botërore Dua Lipa, Dukagjin Lipa, ka folur së fundmi në podcastin 3GO për karrierën e tij dhe festivalin që organizon në Kosovë.

Gjatë bisedës, Dukagjin Lipa ka shprehur shqetësimin se, përkundër të mirave të shumta që ky festival sjell për vendin, nuk ka gjetur ndonjë mbështetje të konsiderueshme nga institucionet e shtetit.

“Përkrahja momentalisht nuk po trajtohet, mirëpo s’ka problem, nuk kemi pas trajtime të veçanta prej asnjanës palë, por ne gjithmonë nuk e politizojmë festivalin. Festivali i takon rinisë Kosovës. I takon Prishtinës si qytet, i takon krejt njerëzve”, tha Dugi gjatë intervistës.

Foto: Valon Canhasi/Instagram

Ai theksoi gjithashtu impaktin ekonomik të jashtëzakonshëm që “Sunny Hill” sjell në Kosovë, duke përmendur se në vitin 2022, festivali kishte gjeneruar një efekt ekonomik që kap vlerën e 20 milionë eurove.

“Nuk ka biznes në Kosovë! Çfarëdo qarkullimi me pasë që ia len qytetit 20 milionë, jo si taksa, se taksat janë të tjera, qytetit që ia bjen 20 milionë të hyra për një javë ditë,” shtoi ai.

Në fund, Dukagjin Lipa theksoi se ndihma më e vyer nga institucionet do të ishte në përmirësimin e infrastrukturës, gjë që do të lehtësonte ndjeshëm qasjen në festival dhe do të ndihmonte në zhvillimin e mëtejshëm të tij.

Përndryshe, në festivalin “Sunny Hill” ndër vite kanë interpretuar emra të njohur me renome botërore si: Dua Lipa, Bebe Rexha, J Balvin, Miley Cyrus, Calvin Harris, Martin Garrix, Stormzy, BurnaBoy, Skepta, Diplo, e të tjerë. /Telegrafi/

Podcastin 3GO e gjeni edhe në Facebook, Instagram dhe ueb.

Exit mobile version