Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka, pas përfundimit të ndeshjes me Katarin, për Fshf.org shprehu pakënaqësinë e tij për golin e pësuar që në fillim të ndeshjes.
Duka ka kërkuar përqendrim maksimal nga lojtarët pasi një gabim i tillë në Evropian do të thoshte shumë.
“Fillimisht, ajo që dua të theksoj është se gabime si ai që solli golin e parë, me fillimin e ndeshjes, janë të pafalshme. Loja fillon dhe përfundon, kur sinjalizon gjyqtari. Mungesa e vëmendjes ndëshkohet dhe në Evropian askush nuk ti fal gabimet”.
“Në pjesën e parë pas golit të Katarit, reaguam mirë. U përpoqëm dhe e vumë nën presion kundërshtarin, duke krijuar raste për shënim, duke punuar mirë, veçanërisht në krahun e majtë, nga ku rrezikuam shumë herë. Në pjesën e dytë, nuk morëm në dorë kontrollin e lojës dhe kundërshtari, na vuri në vështirësi në mesfushë, pavarësisht se nuk `kishte kualitetin e duhur për të na goditur”.
“Goli i Sadikut? I jashtëzakonshëm, por duhet të luanim ashtu siç ai goditi”.
“Sigurisht që ishte një ndeshje miqësore dhe jam informuar që skuadra i ka këmbët e rënduara, sepse gjatë gjithë javës ka punuar me ngarkesa. Por unë do të kërkoja më shumë impenjim dhe përqëndrim nga grupi. Ne duhet të japim gjithmonë maksimumin, në mënyrë që të kemi rezultat. Shpresoj shumë që kjo ndeshje të na ketë shërbyer për të korrigjuar. Fitorja, ato gjithmonë janë të rëndësishme për moralin. Por duhet të nxjerrim më shumë konkluzione nga kjo ndeshje”, ka thënë Duka për fund, transmeton Sportal.al.