Përmes një postimi në rrjetet sociale, Armand Duka, ka shprehur mbështetjen e tij për trajnerin e Shqipërisë, Christian Panucci.
Pas ndeshjeve jo të mira në miqësore, e në veçanti pas humbjes nga Skocia në Ligën e Kombeve, përzgjedhësi i Kuqezinjve ka marrë kritika të shumta duke u përhapur edhe spekulime për shkarkimin e tij.
Mirëpo, kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit ka kërkuar që t’i jepet koha e nevojshme trajnerit për të arritur deri te sukseset.
“Sapo kemi nisur një turne të ri dhe kemi luajtur dy ndeshjet e para. Kemi marrë tri pikë dhe pësuam humbjen e parë të hënën në mbrëmje në Glasgou”.
“Një humbje nuk duhet trajtuar si një tragjedi. Kemi pasur mundësitë tona, por që nuk i shfrytëzuam, ashtu sikurse edhe defektet që jam i bindur se trajneri i ka tashmë pikë referimi”.
“Jemi në gjysmë të rrugës, me pikë të barabarta me rivalin. Na pret në tetor një transfertë e vështirë në Izrael. Të gjithë ne, duhet t’i japim kohën e mjaftueshme trajnerit për të bërë ndryshimet dhe reflektimet e duhura në skuadër”.
“Koha e llogoreve nuk vlen për askënd. Kritikat janë normale për një skuadër kur ajo humbet. Por, kur këto bëhen për interesa jo sportive, nuk i shërbejnë askujt”.
“Unë mirëkuptoj çdo shqetësim të tifozëve tanë apo çdo artikulim mediatik, por njëherësh i ftoj që këtë situatë jo të mirë ta shndërrojnë duke shpenzuar energji pozitive për kombëtaren tonë!”, ka shkruar Duka. /Telegrafi/