Telegrafi

Duka: Sjelljet e tifozëve nuk kanë justifikim

Kreu i FSHF-së, Armand Duka, ka thënë se nuk justifikohet dhuna e prodhuar nga një grup tifozësh shqiptarë gjatë ndeshjes ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë në Palermo.

“Nuk kam përgjigje për veprime të tilla të papranueshme. Nuk gjej asnjë arsye që u japin të drejtë të bëjnë të tilla veprime në stadium. Nuk justifikohet në asnjë arsye”, ka deklaruar ai gjatë pjesëmarrjes në emisionin Top Story të TCH.

Lexo po ashtu Armand Duka thyen heshtjen për rastin e Taulant Xhakës

Ndërkaq, duke komentuar se nëse e gjitha ka nisur nga sjellja e Federatës shqiptare me grupimet e tifozëve në ndeshjen ndaj Serbisë dhe Izraelit në Elbasan Arena, Duka ka thënë:

“Keqtrajtimi me Serbinë e Izraelin? Nuk më duken arsye, sepse forcat e sigurisë kanë bërë detyrën e tyre në këto ndeshje. Edhe nëse e kanë tepruar në ndonjë rast, ka mënyra të tjera si mund të zgjidhet kjo. Kjo në asnjë rast nuk jep të drejtën që të cenosh të drejtat e të tjerëve që vijnë në stadium. Veprime të tilla janë të papranueshme dhe në asnjë rast nuk mund të përkrahen nga askush”.

Nga ana tjetër, gazetarja sportive, Enkelejda Zeko, i është drejtuar kreut të FSHF-së duke i thënë se ka një konflikt të hershëm mes Federatës dhe tifozëve dhe ka një pakënaqësi nga tifozët kuqezi, të cilët i kanë bojkotuar ndeshjet.

“’Illirian Elite’ janë një grup i ndarë nga ‘Tifozat Kuqezi’ dhe incidenti ka qenë i paralajmëruar, a ka marrë masa FSHF për këta?”, ishin fjalët e Zekos drejtuar Dukës. /Telegrafi/