Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e ish-trajnerit të Shqipërisë, Otto Baric.
Strategu kroat ndërroi jetë të dielën në moshën 88 vjeçare, si pasojë e komplikimeve të infeksionit me coronavirus.
“Mësova me trishtim lajmin për ndarjen nga jeta të ish-trajnerit të Shqipërisë dhe mikut tonë, Otto Bariç”.
“Ai ka qenë një nga trajnerët më të mirë që ka pasur Shqipëria. Padyshim një ekspert, por dhe një njeri shumë i mirë”.
“Koha që bashkëpunuam kur ai drejtoi kombëtaren e Shqipërisë, ka lënë mbresa dhe kujtime të pashlyera. Kam pasur gjithmonë vlerësimin maksimal për të. E kam thënë në shumë ambiente, por e them përsëri, kam mësuar shume nga bashkëpunimi me Otton në të gjitha këndvështrimet”.
“Ngushëllimet më të sinqerta për familjen, Federatën Kroate të Futbollit dhe miqtë e tij të shumtë. Gjithmonë i paharruar, Otto!”, ka shkruar Duka në rrjetet sociale.
Ndryshe, Baric mori drejtimin e Shqipërisë në verën e vitit 2006 duke zëvendësuar në këtë detyrë Hans-Peter Brigelin, ndërsa kombëtaren e drejtoi deri në nëntor 2007. /Telegrafi/