Telegrafi

Duka: Nuk kemi Messin apo CR7, por kemi lojtarë që japin maksimumin në fushë

Vazhdon interesimi i mediave ndërkombëtare, për përgatitjet që skuadra kombëtare e Shqipërisë po bën në Bad Waltersdorf të Austrisë.

Prej ditësh një grup i gazetës prestigjioze franceze L’Equipe po qëndron pranë skuadrës kombëtare për të kryer intervista dhe reportazhe të ndryshme.

Sot në një intervistë ekskluzive për këtë gazetë ishte i ftuar presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka, bën të ditur FSHF.

Ai është shprehur se suksesi i Shqipërisë me rastin e kualifikimin në Evropian është fryt i një pune shumë vjeçare, transmeton Koha.net.

“Arritja në finalet e Kampionatit Europian është fryt i një pune disa vjeçare. Nuk mund të ndërtosh asgjë në 5 vjet. Ne kemi filluar punën me përmirësimin e infrastrukturës. Më pas kemi vazhduar me kualifikimin e kuadrit trajner, nëpërmjet edukimit në shkollën e trajnerëve. Një punë shumë e mirë është bërë edhe për seleksionimin e qindra mijëra futbollistëve, të cilët sot luajnë në Europë dhe Shqipëri”, është shprehur Duka.

Duka më tutje ka thënë se grupi është forca kryesore e Shqipërisë, pasi nuk ka në mesin e tyre superyje, por të gjithë së bashku luftojnë dhe sakrifikojnë shumë për të arritur te suksesi, transmeton Koha.net.

“Ne nuk kemi Ronaldon, Messin apo Ibraimovicin, por kemi lojtarë që luftojnë dhe japin maksimumin për skuadrën. Të gjithë sakrifikojnë dhe luftojnë shumë. Trajneri i ka motivuar dhe e vlerësoj punën e tij, e cila merret edhe me detajet më të vogla”, ka thënë Duka për të përditshmen franceze.