Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, ka folur pas ndeshjes ndaj Spanjës me mjaft qetësi për atë që ndodhi.
Duka pranoi humbjen, duke thënë se Spanja është më e mira përfaqësuese që ka luajtur ndonjëherë në Shqipëri.
Ai mbrojti De Biasin dhe mënyrën e lojës defensive ndaj ekipit të Spanjës, pasi që thotë se ka mundur Shqipëria të pësojë sikurse Kosova nëse do të kishte sulmuar.
“Spanja ishte vërtet e fortë. Ishte ekipi më i mirë dhe më i miri në futboll fiton. Kjo është gjë normale. Ata nuk ishin të mirë vetëm në aspektin teknik, por edhe fizik. Spanja që pashë sot, është kombëtarja më e mira që ka luajtur ndonjëherë në Shqipëri”.
“Nuk e di nëse do të kishte qenë më mirë të kishim sulmuar. Ndoshta do të kishim provuar. Por, mund të kishim pësuar si Kosova ashtu. Andaj mendoj se kemi pasur qasjen e duhur, patëm Spanjën përpara, andaj duhet të tejkalojmë këtë dhe të mendojmë për Izraelin. Ajo është sfida jonë”, deklaroi Duka. /Telegrafi/