Site icon Telegrafi

“Duhet të tregojmë gjoksin”: Udhëheqësit tallen me Putinin në drekën e G7

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson u tall me presidentin rus Vladimir Putin ndërsa ai u ul me liderët botërorë në tryezën e rrumbullakët për një drekë të G7 të dielën në Gjermani.

Ndërsa zoti Johnson u ul me liderët nga Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, SHBA dhe gjithashtu Bashkimi Evropian, ai dhe homologu kanadez Justin Trudeau diskutuan për liderin rus dhe historinë e tij të fotografimit pa këmishë.

Dhe siç shkruajnë mediat britanike, z. Johnson u dëgjua duke pyetur udhëheqësit: “Xhaketat? Xhaketat? A i heqim palltot?”.

Duke vazhduar me temën, ai më pas shtoi “do t’i heqim rrobat?”, duke sugjeruar se “ne të gjithë duhet të tregojmë se jemi më të ashpër se Putini”.

Zoti Trudeau citohet të ketë thënë më pas “shëtitje me kuaj me gjoks të zhveshur” duke iu referuar fotove ku Putin ishte fotografuar pa këmishë duke hipur mbi një kalë në vitin 2009.

Z. Johnson më pas tha: “Ne duhet të tregojmë gjoksin”.

Ndryshe, presidenti amerikan Joe Biden i cili po qëndron në Gjermani për të marrë pjesë në Samitin e G7-ës, ka lavdëruar kancelarin gjerman Olaf Scholz për lidershipin, në kohën kur Rusia po zhvillon luftën kundër ukrainasve – duke theksuar se Perëndimi është i bashkuar si kurrë më parë.

“Duhet të qëndrojmë të bashkuar”, i tha Biden kancelarit gjerman në alpet gjermane, transmeton Telegrafi.

Madje presidenti amerikan bëri të ditur se presidenti rus Vladimir Putin ka shpresuar se “disi NATO-ja dhe G7-ta do të kenë qëndrime të kundërta, por ne jemi më të bashkuar se kurrë më parë”. /Telegrafi/

Exit mobile version