Site icon Telegrafi

A duhet Kosova ta kushtëzojë pjesëmarrjen në “Ballkanin e Hapur” me pranimin e saj politik nga Serbia – flasin analistët

Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Aziatike, Karen Donfried gjatë vizitës së saj në Beograd, përshëndeti nismën “Ballkani i Hapur”.

Sipas një njoftimi të lëshuar nga zyra e Presidentit të Serbisë, Ndihmësja e Sekretarit amerikan të Shtetit theksoi se kjo nismë [Ballkani i Hapur] paraqet një mundësi për të promovuar më tej potencialin investues të rajonit.

Kjo deklaratë e sekretares Donfired nuk po shihet si sinjal për Kosovën që të bëhet pjesë e kësaj nisme rajonale, por vetëm si mbështetje nga Amerika për çdo bashkëpunim rajonal që mund të ndodh.

Lexo po ashtu Vuçiq u thotë amerikanëve se është i përkushtuar për dialog dhe marrëveshje gjithëpërfshirëse me Kosovën

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, në një prononcim për Telegrafin theksoi se “Ballkani i Hapur” nuk ka vetëm problemin politik, por edhe të natyrës ekonomike dhe juridike.

“Ka të bëjë me atë se nga këndvështrimi amerikan çdo iniciativë për bashkëpunim rajonal është e mirëpritu, por kjo nuk do të thotë se çdo gjë duhet të bëhet me sy mbyllur. ‘Ballkani i Hapur’ nuk e ka vetëm problemin politik, i cili është jashtëzakonisht i vështirë që të realizohet, por ka edhe probleme të natyrës ekonomike dhe juridike”, tha Arifi.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi

Ai shtoi se “Ballkani i Hapur” është promovuar për herë të parë nga George Soros në vitin 2000, kur kishte paraparë disa kushte që të realizohet.

“Një TVSH rajonale, e cila duhet të rimbuërsohet nga BE-ja, pastaj, Unioni Doganor ballkanik. Ka disa kushte të cilat realisht ‘Ballkani i Hapur’ nuk i ka plotësuar dhe është një marrëveshje ende në proces e sipër. Unë e shoh më shumë si problem ekonomik dhe juridik, që nuk është realizuar ende si duhet, sesa që është edhe problem politik në Kosovë”, u shpreh Arifi.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare më tej ka theksuar se është pro asaj që Kosova të bëjë një kërkesë zyrtare që të bëhet pjesë e “Ballkani i Hapur”.

“Unë jam që Kosova të bëjë kërkesë zyrtare te këto tri vendet e ‘Ballkanit të Hapur’ që janë pjesëmarrëse. Të bëjë kërkesë që Kosova të pranohet politikisht nga Serbia dhe në këtë kontekst, që Kosova dëshiron të jetë pjesë e ‘Ballkanit të Hapur’, pra ta bëjë një lojë diplomatike, por duke kërkuar kushte dhe rregulla në aspektin ekonomik, politik dhe juridik se çka përfaqëson ‘Ballkani i Hapur’”, u shpreh Arifi.

Ai shtoi se përmes kësaj Kosova do t’i sfidonte vendet e “Ballkanit të Hapur”, që nëse qenka një projekt kaq i rëndësishëm, siç po pretendojnë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, atëherë le ta gjejnë mënyrën që ta akomodojnë Kosovën në këtë projekt.

Analisti Dukagjin Gorani gjithashtu ka thënë se nuk e sheh si sinjal drejtuar Kosovës, deklaratën e sekretares amerikane, Karen Donfried ku ajo u shpreh se përshëndesin nismën “Ballkani i Hapur”.

Analisti, Dukagjin Gorani

“Nuk mendoj se bëhet fjalë për sinjal drejtuar Kosovës për pjesëmarrje në ‘Ballkanin e Hapur’. Kjo çështje, së paku për qeverinë aktuale, ka marrë fund. Me sa kuptova nga deklarimi i znj. Donfried, ajo vetëm sa e përsëriti përkrahjen e kësaj nisme, e cila disa vjet më herët mbante emrin ‘Mini Schengen’ – propozim ky i administratës së mëhershme e presidentit Trump”, u shpreh Gorani për Telegrafin.

Në takimin e fundit që pati kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, u tha se janë dakorduar që Samiti i ardhshëm i ‘Ballkanit të Hapur’ të mbahet në gjysmën e parë të muajit qershor në Ohër. Ndërsa në fillim të shtatorit, bashkërisht do të organizojnë Panair të madh turistik për verë dhe ushqim në Serbi nga ku prodhuesit nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia do të kenë mundësi t’i prezantojnë prodhimet e tyre.

E për një mundësi të pjesëmarrjes së Kosovës në këtë Samit, analisti Dukagjin Gorani e ka parë si të pamundshme. Ai shton se edhe nëse Qeveria Kurti do të ndërronte vëmendje sa i përket pjesëmarrjes në ‘Ballkanin e Hapur’, nuk do të mund ta arsyetonte para publikut vendor.

Lexo po ashtu Nisma Ballkani i Hapur mbetet i hapur edhe për Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnjën

“Edhe nëse do të ndërronte mendje qeveria Kurti rreth pjesëmarrjes në “Ballkanin e Hapur”, nuk e di se si do t’ia arsyetonte këtë publikut vendor – marrë parasysh refuzimet e prera dhe disavjeçare të saj. Andaj, nuk e shoh të mundshme pjesëmarrjen e Kosovës në të, së paku jo me këtë qeveri”, u shpreh Gorani.

E profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi ka thënë se “Ballkani i Hapur” do të dëmtonte procesin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, ku të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë të nënshkruar këtë marrëveshje me Bashkimin Evropian.

“Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar marrëveshjen e MSA-së me BE. Prandaj, duhet të ketë kujdes këtu, sepse secili shtet që ka nënshkruar një MSA, pra ka një marrëveshje me BE-në për disa çështje, siç është ajo e çmimeve dhe tregjeve të BE-së, është një periudhë tranzitore, të cilën duhet ta respektojnë dhe ‘Ballkani i Hapur’ mund ta dëmtojë procesin e MSA-së”, tha Arifi.

Foto nga takimi i “Ballkanit të Hapur” të mbajtur më 04 nëntor 2021

Nisma e bashkëpunimit të “Ballkanit të Hapur” përfshinë Serbinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe parashikon lirinë e lëvizjes për kapitalin, mallrat, shërbimet dhe njerëzit midis tre vendeve.

Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje dhe Hercegovina kundërshtojnë pjesëmarrjen në nismën “Ballkani i Hapur”.

Në kuadër të kësaj nisme, është vendosur lëvizja e lirë e qytetarëve me letërnjoftim ndërmjet Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, është nënshkruar marrëveshja për bashkëpunim në parandalimin dhe eliminimin e pasojave të fatkeqësive natyrore. Po ashtu, janë nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim në lehtësimin e importit, eksportit dhe lëvizjes së mallrave në Ballkanin Perëndimor, si dhe një Memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi për qasje të lirë në tregun e punës. /Telegrafi/

Exit mobile version