Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Enver Dugolli, ka reaguar ndaj deklarimeve të kryetarit të AAK-së Ramush Haradinaj në lidhje me lirimin e Albin Kurtit nga burgu i Serbisë.
Dugolli përmes një reagimi në Facebook tha se Ramush Haradinaj nuk po e thotë të vërtetën për atë ngjarje.
“Duke dëgjuar një konferencë për media të Ramush Haradinajt me partnerët e tij politik, në mesin e shumë huqjeve të tij, dëgjova edhe njëherë një gënjeshtër të kulluar sa i takon lirimit të Albin Kurtit nga burgjet serbe. Z.Haradinaj tha se është “..Albin Kurti është i vetmi që është liruar nga burgu nga Koshtunica…””, ka shkruar Dugolli.
Deputeti i LVV-së thotë se në atë kohë u liruan shumë të burgosur pas presionit diplomatik ndërkombëtar.
“Duke qenë se edhe vetë kam qenë peng i luftës dhe i burgosur politik konfirmoj me përgjegjësi të plotë morale e ligjore se jo vetëm z.Kurti, por janë liruar qindra të burgosur politik që mbaheshin pengje në burgjet serbe, pas presionit të madh publik e diplomatik ndërkombëtar ku si rrjedhojë parlamenti serb u detyruar të miraton ligjin për amnisti si formë për të përmbushur një kërkesë të drejtë ndërkombëtare kundrejt të burgosurve shqiptar”.
Dugolli thotë se edhe vet është liruar në atë periudhë.
“Në atë proces jam liruar edhe unë sikurse qindra të burgosur (ka në AAK ish të burgosur që e dinë këtë fakt), ashtu siç është liruar edhe z.Kurti”.
“Prandaj, është mirë qe z.Haradinaj të kërkon falje për këtë gënjeshtër të paskrupullt”, ka shkruar Dugolli./Telegrafi/