Telegrafi

Dugolli: Grupet kriminale në veri kanë përdorur bomba artizanale ndaj KFOR-it

Deputeti i LVV-së, Enver Dugolli, ka marrë pjesë në komisionin ku ishte prezent edhe drejtori i Policisë së Kosovës, i cili kishte raportuar për situatën në veri, me dyer të mbyllura.

Dugolli në RTV Dukagjini, dha detaje nga raportimi i drejtorit, për situatën e tensionuar në atë pjesë të vendit si dhe për gjendjen e Policisë së Kosovës.

Dugolli, tha se grupet kriminale, kanë përdorur armë të ndryshme, ndër to edhe “bomba artizanale”, të cilat sipas tij i kanë ndërtuar profesionistët.

Sipas tij, kjo armë i ka lënduar edhe ushtarët e KFOR-it në gjymtyrë e disa pjesë të tjera të trupit.

“Po, ekzistojnë argumente të mjaftueshme [për bomba artizanale] që ata kanë përdor edhe këtë lloj arme që kanë shkaktuar plagë në gjymtyrët e ekstremit të poshtme të KFOR-it”, ka thënë ai.

Dugolli, tha se situatë ka eskaluar pasi grupe ekstremiste kishin ardhur në Kosovë, vetëm me këtë qëllim. Ata sipas tij kanë ardhur në Kosovë, pas mitingut në Serbi.

“E hëna ndryshoi gjithçka, sepse grupet kriminale nga Serbia, që atë ditë nuk kanë qëlluar në Kosovë, kanë pasur qëllim të shkaktonin kaos, dhe ta mveshnin me petkun  e një proteste popullore, por i doli boja atyre. Ata ngrenë dorë brutalisht edhe ndaj KFOR-it. Ka të lënduar nga KFOR-i, me armë zjarri, me bomba artizanale që janë krijuar nga profesionistë”, tha ai.

Ai e akuzoi Serbinë se përmes krijimit të tensioneve, po tenton ta heqë vëmendjen nga marrëveshje e përgjithshme me Kosovën.