Ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ilir Dugolli, ka shpërndarë një video të gazetares së CNN-it, Christiane Amanpour, të publikuar nga arkivi i saj ku tregon se çfarë kanë gjetur marinsat amerikanë gjatë kohës së luftës në Kosovë.
Teksa ka rekomanduar që të shikohet një video e tillë, Dugolli ka thënë se Kosova është mirënjohëse për të gjithë, nga gazetarët deri te ushtarët, të cilët refuzuan të mbyllnin sytë ndaj krimeve të Sllobodan Millosheviqit dhe projektit famëkeq të Serbisë së Madhe.
“Një çerek shekulli më vonë, Serbia jo vetëm që nuk arrin të përballet me të kaluarën e saj të errët, por kënaqet me mosndëshkimin e tyre për spastrimin etnik dhe gjenocidin, kërkon të korrigjojë ‘gabimet taktike’ të Millosheviqit dhe bën gjithçka që mundet për të destabilizuar vendet fqinje”, ka shkruar ambasadori në rrjetin social “X”.
A highly recommended watch!
Forever grateful to everyone, from journalists to soldiers, who refused to turn a blind eye to Milosevic’s crimes and the infamous Greater Serbia project.
A quarter of a century later, ?? not only fails to reckon with its dark past, but gloats in… https://t.co/mKr1zjIhRu
— Ilir Dugolli (@IlirDugolli) January 13, 2024
Ndryshe, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka paralajmëruar të shtunën se shteti që përfaqëson do të shpenzojë 740 milionë euro vetëm këtë vit për blerjen e pajisjeve ushtarake dhe armatim, si kundërpërgjigje ndaj blerjes së antitankeve amerikane nga Kosova.
Në një deklaratë të cilën e bëri nga Agjencia e Sigurisë Ushtarake në Beograd, Vuçiqi ka thënë se menjëherë do të blihet armatim i markës Nora nga një prodhues vendor.
“Serbia aktualisht ka 186 milionë euro në dispozicion, të cilat do t’i shpenzojmë menjëherë për blerjen e mjeteve dhe armëve nga fabrikat vendase të industrisë së dedikuar”, ka thënë presidenti i shtetit përgjegjës për luftërat e përgjakshme në rajon, që ndodhën gjatë viteve të ’90-a.
“Do të jenë tetë ‘Nora’, e blerja më e lirë është kur e realizojmë nga inteligjenca jonë e brendshme, dhe prandaj do të shihni se sa mund të blini për relativisht pak para dhe sa më shumë vlejnë se 246 ‘Javelinët’, që janë armë jashtëzakonisht të fuqishme antitank dhe antiblinda, por i njëjti lloj i armës nuk përdoret për t’iu përgjigjur të njëjtës armë”.
Vuçiq ka bërë të ditur se gjatë këtij viti do të jenë gati edhe dy pako me nga 150 dhe 400 milionë euro për pajisje shtesë dhe armatim të Forcave të Armatosura të Serbisë. Ato para janë ndarë përveç 360 milionë eurove të listuara në buxhetin e Serbisë për armatim shtesë, ka thënë Vuçiq.
“Kur t’i bashkoni të gjitha këto, do të shihni se ky do të jetë viti në të cilin ne do të pajisemi më së miri, më shpejt dhe më fuqishëm”, ka deklaruar ai. /Telegrafi/