Këngëtarja shqiptare me nam botëror, Dua Lipa, ka shijuar një javë të tërë brigjeve të bregdetit shqiptar.
Së bashku me familjen dhe të dashurin e saj, Anwar Hadid, artistja e shumë hiteve globale ka vizituar disa nga vendet më turistike të shtetit amë.
Pas vizitës në Tiranë dhe Krujë, familja Lipa u shoqëruan nga kryeministri shqiptar Edi Rama në jug të Shqipërisë, për të shijuar disa ditë të mira pushimi në det.
Mëngjesin e së enjtes, Dua ka arritur në brigjet e detit të Dhërmiut me një jaht luksoz, shoqëruar nga prindërit, vëllai dhe motra, si dhe i dashuri i saj.
Telegrafi ka arritur të sigurojë disa fotografi ekskluzive nga momenti i zbarkimit të këngëtares shqiptare në detin Jon.
Edhe vet Dua e konfirmoi përmes disa fotografive të publikuara në llogarinë e saj në Instagram, se është duke shijuar kohën më të mirë me diell në jugun e Shqipërisë.
Vizita e saj në Tiranë u realizua me qëllim pamjen nga afër të një kopshti që është në rindërtim e sipër, enterieri i së cilës është mundësuar nga fondacioni i këngëtares, i quajtur “Sunny Hill Foundation”.
Dua këto ditë është treguar aktive edhe në muzikë, duke publikuar klipin e ri “Demeanor” – bashkëpunim me artistin e ndjerë, Pop Smoke. /Telegrafi/