Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Dua Lipa, nuk ka mundur të qëndrojë indiferente ndaj situatës alarmante të krijuar për shkak të panikut nga coronavirusi.
Ajo të dielën ka publikuar një fotografi bardhë e zi në rrjetin social Instagram, ku shfaqej krah stilistit të njohur italian, Giuliano Calza.
Në mbishkrimin e kësaj fotografie, Lipa i është drejtuar me këshilla fansave të saj, për larjen e rregullt të duarve dhe qëndrimin e izoluar.
Një tjetër detaj interesant që artistja me prejardhje shqiptare nuk hezitoi t’ua vërë në dukje fansave të saj, ishte fakti se në këto ditë të vështira ata duhet të mendojnë për njerëzit që janë në gjendje më të keqe se ata.
E këta njerëz sipas saj janë refugjatët, të drejtat e të cilëve janë më të shtypur dhe mbi të gjitha e kanë më të vështirë të sigurojnë kushte si njerëzit normalë.
“Uau, në këtë natë me të vërtetë kemi menduar që viti 2020 do të jetë ai … duke menduar për ju të gjithë gjatë kësaj kohe të vështirë dhe konfuze. Qëndroni të sigurt, lani duart tuaja, jini me të dashurit tuaj dhe më e rëndësishmja mbani mend dhe mendoni për ata që janë më me pak fat se ju. Refugjatët janë disa nga më të rrezikuarit në këtë planet, që shpesh jetojnë në vende të mbushura me shërbime të kufizuara shëndetësore. Agjencitë e KB-së po punojnë shumë për t’u siguruar që këta njerëz të jenë të mbështetur. Unë e di gjatë kësaj kohe të vështirë disa prej jush mund të mos jenë në gjendje t’i dhurojnë apelit urgjent të UNHCR-së, por nëse mundeni, ai vërtet bën një ndryshim për të mbrojtur refugjatët dhe komunitetet e tyre nga COVID-19, linkun e gjeni në bion time në Instagram”, ka shkruar Dua Lipa, duke treguar kështu se po mbështet nismën e UNHCR-së (Komisioni i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët), për t’i mbështetur refugjatët anë e mbanë globit në preventimin e infektimit me coronavirus.
Dua më mirë se askush tjetër mund të jetë e mirëkuptueshme për refugjatët, referuar faktit se në Britaninë e Madhe, ajo vinte vet nga një familje refugjate nga Kosova, të cilët u larguan në Angli për shkak të represionit serb. /Telegrafi/