Telegrafi

Dua Lipa do të performojë në Tiranë për Ditën e Flamurit

(Foto: Instagram/dualipa)

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, do të performojë në Shqipëri me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit.

Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, 27-vjeçarja ka bërë të ditur se do ta mbajë koncertin e fundit në kuadër të turneut ‘Future Nostalgia’ pikërisht në Tiranë.

“Jam shumë e gëzuar t’ju njoftoj se koncerti i fundit i turneut ‘Future Nostalgia’ do të ndodhë në Tiranë, Shqipëri me 28 nëntor”, ka thënë këngëtarja në anglisht.

“Mezi po pres t’ju shoh me 28 Nëntor për Ditën e Flamurit dhe për 110 vjetorin e Pavarësisë. Ju dua shumë”, ka vazhduar Dua në shqip.

Videon e ka shpërndarë në profilin e tij edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.

Kujtojmë që gjatë këtij viti, krahas Kosovës, Festivali Sunny Hill u mbajt për herë të parë edhe në Shqipëri, mirëpo Dua nuk kishte interpretuar.

Në anën tjetër, një koncert madhështor e mbajti shqiptarja tjetër me famë botërore, Rita Ora, e cila interpretoi në Tiranë në muajin shtator.

Dhe tash është radha që Dua Lipa ta ndezë atmosferën në kryeqytetin e Shqipërisë me rastin e Ditës së Flamurit kombëtar. /Telegrafi/