Dua Lipa, këngëtarja e famshme ka vizituar kampin e natyrës të “World Wide Fund for Nature Adria” në Parkun Gërmisë në Prishtinë.
Ajo ka bërë hapjen e kampit Uji, kamp që do të zgjasë nga 8 gushti deri më 12 gusht. Ky është kampi i dytë që WWF Adria organizon në partneritet me organizatën jo-qeveritare Toka dhe komunën e Prishtinës.
Lipa foli me më shume se 40 fëmijë që po marrin pjesë ne kamp, dhe u përgjigj në pyetjet e tyre rreth karrierës së saj si këngëtare.
Prentina Ramaj e pyeti se nga merr ajo frymëzimin e saj për të kënduar, dhe Lipa ju përgjigj se babai i saj është këngëtar dhe e ka inspiruar për të kënduar.
“Unë kam këndu prej një moshë shumë të re, babin e kam këngëtar, dhe gjithë jam inspiru prej që kam qenë shume e vogël, por e kam marrë seriozisht në moshën 15 vjeçare, pasi jam kthy në Londër”, shtoi Lipa.
Lipa ka lindur në Londër, por dy prindërit e saj janë Shqiptarë nga Kosova, dhe ajo nuk hezitoj që të theksoj se sa krenare është me vendlindjen e prindërve të saj, që edhe ajo e quan vend i saj.
“Jam nga Kosova, nga Prishtina, ky është vendi jem dhe kam qef me ju kallxu njerëzve prej nga jam, edhe për atë arsye unë vijë këtu”, tha Lipa.
Kur u pyet se a do të vijë përsëri me kënduar në Kosovë, ajo tha se Kosova do të jetë pjesë e turnesë së saj Evropiane, pasi ta publikoj albumin e ri në Shkurt.
“Po, gjithqysh [do të vijë], albumi jem del në muajin Shkurt, kështu që mendoj se pasi ta nisi me bë turnetë Evropiane, dua të vijë sërish këtu, që me mundur me performuar krejt albumin për juve, edhe atëherë i dini edhe këngët,˝ tha Lipa.
Lipa do të mbajë koncert për bamirësi në Parkun Gërmia, ditën e martë më 9 gusht, dhe ajo theksoj se me këtë koncert po dëshiron që të jepe diçka për vendin e saj.
“Për momentin kam me i performu shumicën e kangëve prej albumit që ju hala nuk i keni ndëgjuar, do mundohem me ju dhanë performancën ma të mirë që mundem,˝ tha Lipa.
WWF Adria dhe Ecopana janë duke implementuar projektin ˝Zonat e mbrojtura për Natyrë dhe Njerëz˝në Parkun Gërmia.
Me programet edukative që WWF-i është duke i zhvilluar me të gjithë partnerët, Parku Gërmia ka potencial që të kthehet ne kopsht botanik dhe shkollë për gjeneratat e ardhshme.