Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Dua Lipa, po e shijon suksesin e albumit të saj më të fundit, “Future Nostalgia”.
Ndonëse e publikoi në kushte karantine dhe u detyrua ta shtyjë turneun e saj të promovimit, Lipa prapëseprapë është e lumtur që albumi i saj i ri është pritur mirë nga fansat.
Albumi është promovuar gjithandej nga platformat digjitale të muzikës, teksa nuk po mungon edhe nëpër banerët e kryeqyteteve të mëdha, ndonëse janë të gjitha pothuajse në izolim.
Albumi “Future Nostalgia” gendet tashmë edhe në banerat e autobusëve karakteristikë të Londrës – reklamë e cila është mundësuar nga platforma më e madhe e muzikës në botë, Spotify.
Dua ka rishpërndarë videon e publikuar nga stilisti i saj, Lorenzo Posocco, i cili rastësisht ka parë reklamën e këngëtares shqiptare në një prej autbosuëve të famshëm londinezë, që po kalonte pranë shtëpisë së tij.
“Kjo është Dua Lipa”, shkruhej në banerin promovues të artistes shqiptare, e cila tashmë ka shumë emër në botë.
Dua përndryshe ka mbetur në Londër me të dashurin dhe familjen e saj, pas një tentative të dështuar për të shkuar në New York, shkaku i anulimit të fluturimeve në ditën kur ajo planifikoi të largohej. /Telegrafi/