Site icon Telegrafi

Dua Lipa përmend Ismail Kadarenë gjatë fjalimit në “Booker Prize” në Londër

Artistja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ka qenë së fundmi e ftuar në ceremoninë e çmimeve “Booker”.

Ajo theksoi se leximi e ka ndihmuar atë të kalonte kohët e ‘tensionuara’ në turne dhe të lidhej me trashëgiminë e saj.

Në një fjalim kryesor të mbajtur në ceremoninë e “Booker Prize 2022”, kantautorja, 27 vjeçare, tha se shkrimet e mira “kanë fuqinë t’i bëjë njerëzit të ndihen mirë”.

Çmimi kryesor u fitua nga autori nga Sri Lanka, Shehan Karunatilaka, për romanin e tij “The Seven Moons Of Maali Almeida” dhe u prezantua nga Mbretëresha Camilla.

Në fjalët e saj gjatë aktivitetit, në The Roundhouse në Londër, Lipa vlerësoi shkrimtarin Ismail Kadare, e duke përmendur edhe librin e tij “Kështjella”.

Lexo po ashtu Dua Lipa takohet me Camillan në ceremoninë e çmimeve "Booker"

“Është një nder i madh të jesh në mesin e disa prej mendjeve letrare më të mëdha të botës për të folur për një nga kënaqësitë më të thella në botë: leximin e një libri”, tha ajo.

“Leximi është një pasion që ka marrë shumë forma për mua. Ashtu si shumë fëmijë të tjerë të shkollës londineze, obsesionet e mia të hershme përfshinin Roald Dahl dhe Malorie Blackman, të cilët të dy më dhanë perla të vogla urtësie që më udhëheqin edhe sot”.

Lipa tha se puna e Kadaresë gjithashtu e ndihmoi atë “të lidhej me trashëgiminë dhe identitetin e familjes si shqiptare e Kosovës”.

“Kur kam qenë e re, familja ime vendosi të kthehej në Kosovë. Leximi i librave si ai ‘Kështjella’ i Ismail Kadaresë testoi aftësitë e mia gjuhësore dhe më ndihmoi të lidhesha me prejardhjen e familjes dhe identitetin si shqiptare e Kosovës. Përmes Kadaresë mësova për shpirtin rezistues të shqiptarëve që e mban akoma Kosovën duke luftuar për njohjen e pavarësisë së saj”, shtoi më tej ajo.

Fituesja e “Brit” vazhdoi: “Shpesh pyes veten nëse autorët e kuptojnë se sa dhurata na bëjnë”.

Dua Lipa

“Sot, angazhimet e turneut më çojnë në të gjithë globin dhe jeta është shpesh e tensionuar. Ndonjëherë vetëm për të mbijetuar, dhe në këto momente, janë librat që më qetësojnë”.

“Ne të gjithë duam vetëm të duam dhe të na duan dhe të gjejmë vendin tonë në botë, dhe autorët me të vërtetë na ndihmojnë ta bëjmë këtë”. /Telegrafi/

Dua Lipa
Exit mobile version