Site icon Telegrafi

Dua Lipa për revistën “Elle” flet për Kosovën, vështirësitë në shkollë dhe paragjykimet që i janë bërë si shqiptare

Artistja shqiptare me famë ndërkombëtare, Dua Lipa, ka dhënë së fundmi një intervistë për revistën e famshme botërore “Elle”.

Me titullin “Dua Lipa është ardhmja e muzikës POP”, revista e famshme i ka dedikuar një artikull të gjatë bukuroshes me prejardhje shqiptare, e cila do të jetë në kopertinën e revistës për muajin maj.

Ajo ka dhënë një intervistë, ku ndër të tjerash ka folur për rininë e saj të hershme në Londër, në kohën kur prindërit e saj u shpërngulën atje nga Prishtina.

“Para luftës, nëna ime studionte juridikun. Babai im bënte muzikë dhe studionte për stomatologji. Në Londër prindërit e mi punonin në lokale dhe në kafene, ndërsa babai shkonte në universitet në të njëjtën kohë. Një nga gjërat që mësova nga prindërit e mi është mënyra si u përshtatën me rrethanat, pavarësisht gjithçkaje”, ka rrëfyer Dua.

Ndër të tjerash, artistja Lipa kujton edhe kohën kur ishte rikthyer në bankat e shkollës në Kosovë, duke e cilësuar si një periudhë paksa të vështirë, për shkak të mësimeve dhe mënyrës se si e fliste gjuhën.

“Isha vajza që flisja shqip me theks anglisht. Nuk isha shumë e mirë në mësime, sepse të gjithë në Kosovë mësonin kimi dhe algjebër, ndërsa unë isha akoma te thyesat. Ata fëmijë ishin shumë të zgjuar”, ka thënë artistja shqiptare për “Elle”.

Më tej, ajo gjithashtu ka trajtuar mënyrën se si të tjerë i njohin shqiptarët, duke thënë se është krejt e kundërta.

Madje, Dua për “Elle” thotë se Kosova e ka definuar si njeri.

“Kosova më ka definuar si njeri. Ne kemi një sens të çmendur komuniteti. Njerëzit i dinë punët tuaja përpara se ti t’i marrësh vesh, por gjithmonë më kanë treguar shumë dashuri. Dikush më tha në një intervistë: ‘Ti ke etikën e punës së emigrantëve’, por është më shumë sesa kaq, kur ti do që të të marrin seriozisht. Të paragjykojnë po të jesh nga Kosova apo Shqipëria. Në filma, çdo shqiptar është në mafie. Po përpiqemi të ndryshojmë atë që njerëzit mendojnë për vendin tonë”, është shprehur Dua. /Telegrafi/

Exit mobile version