Site icon Telegrafi

Dua Lipa për AP: Nuk bashkëpunoj me këdo

Dua Lipa në një intervistë për Asoociated Press, ka treguar se si ka arritur deri tek bashkëpunimet me Chris Martin dhe Sean Paul.

Këngëtarja Dua Lipa ka filluar bashkëpunimin me disa nga emrat më të njohur përfshirë Chris Martin, Sean Paul dhe Martin Garrix, por 21-vjeçarja e pranon se nuk e pranon këdo.

“Kur është fjala për bashkëpunime, më pëlqen të jem nazeqare, veçanërisht në fillim, ngase doja të nxirrja muzikën time. Doja që njerëzit të më njihnin së pari si artiste para se të hidhesha në binarët e dikujt tjetër” shpjegoi ajo. “Doja që njerëzit të dinin çfarë mund të bëja dhe çfarë mund të nxirrja në tryezë.”

Lipa ndan singlin “No Lie” me një zë të jashtëzakonisht të veçantë me reperin xhamaikan Sean Paul. Ajo shpjegoi si arriti deri te bashkëpunimi me këngëtarin e “Get Busy”.

“Kënga e Sean Paul është shkruar nga një mike imja, epo, nga dy miq të mi Emily Warren dhe Andrew Jackson dhe ata kanë punuar me këngën me Sean Paul dhe unë shoqërohesha me Emily dhe ajo ma lëshoi këngën dhe mua më pëlqeu dhe pasi që ajo më kontaktoi pas një jave dhe ne hëngrëm drekë, ajo më tha ‘Sean Paul po kërkon një artiste të re, pse s’po e bën ti?’ E unë iu përgjigja, ‘Shumë mirë! Ta bëjmë! Shkova dhe e incizova vokalin dhe kështu ndodhi. Doja të bëja këngë që ishin ndryshe nga ato që kam bërë vetë dhe ato janë këngë që kënaqem duke i kënduar dhe njëjtë me Martin (Garrix).”

Përkundër shtyrjes së debutimit të saj, albumi i vetëtitulluar – që në fillim u caktua për shtatorin e vitit 2016, por u shty në qershor të vitit 2017 – Lipa ka shitur rreth 3.8 milionë singla anekënd botës. Në albumin “Dua Lipa” paraqitet këngëtari i soulit Miguel dhe bashkëpunimi akoma i papranuar me Chris Martin e Coldplay – një bashkëpunim për të cilin Lipa qe shumë e ngazëllyer, transmeton zeri.

“Mora një mesazh elektronik ku shkruante ‘Chris (Martin) i pëlqejnë këngët. Pse s’po shkon të takohesh me të në studion e tij në Malibu?’ Mendova më vete se kjo ishte shumë jo reale, e çmendur dhe ngazëlluese. Po, ishte çmenduri dhe unë shkova të takohesha dhe i këndova atij këngët nga albumi, që ai i dëgjoi me vëmendje të madhe. Ai ndoqi me vëmendje të gjitha tekstet dhe më pyeti se si ishin titujt e secilit singël dhe më pas, tha, ‘Shumë mirë, pse të mos fillojmë diçka?’ Dhe ne iu afruam pianos dhe ky ishte një nga momentet më emocionuese për mua, ngase ta dëgjoja duke kënduar dhe luajtur në piano aq afër meje pasi që kisha dëgjuar zërin e tij në radio krejt jetën time vërtet ishte diçka jo reale.”

Lipa do të debutojë albumin e saj në festivalin e sivjetmë të Glastonbury në Pilton, Somerset, Britani të Madhe, më vonë këtë muaj. Ajo nuk është e re në festival, por e pranoi se do t’i marrë gjërat ndryshe sivjet.

“Çdo herë kam shkuar me shokët dhe kam fushuar. Këtë herë është udhëtim shumë i shkurtër, ndaj është pak pikëlluese që s’do të mund të rri krejt fundjavën ngase duhet të shkojë në koncertin në Çikago të nesërmen, por do të përpiqem të shkoj një ditë më herët që të mund të pushoj pak.”
“Do të kem dikë që do të më ndihmojë të këndellem nga një natë më parë ” shtoi ajo duke buzëqeshur.

Albumi “Dua Lipa” nga Dua Lipa tanimë ka dalë.

Exit mobile version