Site icon Telegrafi

Dua Lipa intervistë ekskluzive për Telegrafin: Një milion herë faleminderit fansave shqiptarë që më mbështetën dhe besuan te unë

Dua Lipa (Foto: Getty Images)

Ajo është artistja e cila ka bërë krenarë shqiptarët në mbarë botën. Emri i saj përmendet kudo, këngët e saj janë hite dhe vendi prej nga vjen është krenaria më e madhe e saj. Është kjo DUA LIPA, këngëtarja shqiptare me renome botërore, e cila vetëm pak javë më parë ndriçoi kryeqytetin me paraqitjen e saj spektakolare në festivalin “Sunny Hill”, të mbajtur në Prishtinë.

Dua Lipa lindi në Londër më 22 gusht të vitit 1995 dhe vijoi mësimet në shkollën “Sylvia Young Theatre School” para se të zhvendosej në Kosovë me familjen e saj në vitin 2008. Talenti i saj buron nga i ati, i cili ishte këngëtar i famshëm në Kosovë gjithashtu. Debutimi i saj në vitin 2014 do të ishte pikënisja e një rruge të shënuar me sukses, rrugë të cilën artistja Lipa po e vazhdon pa u ndalur…

Dua Lipa (Foto: Getty Images)

Ajo vjen këtë herë në një intervistë ekskluzive për Telegrafin për të rrëfyer më shumë rreth paraqitjes së fundit që pati në Prishtinë, planeve që ka për të ardhmen si dhe më të rejave në karrierën e saj artistike. Pak kujtime nga fëmijëria dhe një falënderim i posaçëm për fansat janë gjithashtu pjesë e këtij rrëfimi, të cilin 23-vjeçarja e hiteve “New Rules” dhe “Be the One”, i ndan me shumë dashuri me lexuesit shqiptarë, njëherësh fansat të cilat ajo i ka më së shumti përzemër.

Telegrafi: Dua, ti ke prekur majat botërore me suksesin tënd në muzikë. Na trego pak si po e shijoni këtë sukses?

Dua Lipa: Është një ndjenjë e mrekullueshme që unë jam në gjendje ta ndajë me të gjithë, dhe kjo nuk do të ndodhte nëse nuk do të ishte për fansat e mi në mbarë botën dhe sidomos fansat e mi të vendlindjes që unë i dua dhe i adhuroj aq shumë.

Telegrafi: Më 10 gusht ishit në Prishtinë, ku performuat në kuadër të festivalit “Sunny Hill”. Na trego si jeni ndjerë dhe si i kaluat ditët në kryeqytetin e Kosovës?

Dua Lipa: Festivali Sunny Hill ishte një ndjenjë e papërshkrueshme. Është mënyra më e mirë për të promovuar rininë tonë të bukur, qytetin tonë të bukur dhe Kosovën në të njëjtën kohë. Për të parë kaq shumë të rinj të bashkuar duke u argëtuar dhe duke shijuar çdo moment të saj, më bën të ndihem krenare që jam pjesë e saj.

Dua Lipa gjatë performancës së saj në natën e parë të festivalit “Sunny Hill”, 10 gusht 2018 (Foto: Telegrafi)

Telegrafi: Juve u është dhuruar “çelësi i parë i qytetit” në shenjë mirënjohje nga kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti. Sa e nderuat u ndjerë me marrjen e këtij çmimi?

Dua Lipa: Ishte një nder për mua të marrë çelësin e parë të Prishtinës, dhe unë do ta çmoj atë moment për gjithë jetën time.

Dua Lipa është artistja e par1ëshqiptare që pranoi “çelësin e qytetit”, nga kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti (Foto: Dua Lipa/Instagram)

Telegrafi: Cilat janë kujtimet tuaja më të bukura nga fëmijëria juaj e kaluar këtu në Prishtinë?

Dua Lipa: Duke pasur të gjitha të shoqet e mia përreth në shtëpinë time dhe përgatitjet për të dalë së bashku mbrëmjeve, do të jenë ndoshta kujtimi që gjithmonë do të vërë një buzëqeshje në fytyrën time. Mua më mungojnë miqtë e mi, por unë jam me fat që më telefonojnë dhe janë me mua sa herë të jetë e mundur.

Telegrafi: Për çfarë po punoni aktualisht? Cilat janë projektet e reja që presim nga ju?

Dua Lipa: Jam duke punuar në disa projekte. I radhës është një bashkëpunim i ri, i cili do të dalë së shpejti, por me lejoni ta mbajë sekret edhe për pak kohë.

Dua Lipa: Projekti im i radhës, një bashkëpunim. Shpresoj që ta mirëprisni! (Foto: Getty Images)

Telegrafi: Dua, ju keni trashëguar talentin nga babai juaj, Dukagjini, i cili gjithashtu ishte këngëtar në grupin ODA. Na thuaj pak sa jeni e lidhur me të dhe sa ju mbështet ai në karrierë?

Dua Lipa: E kam përmendur disa herë se jam rritur në një familje e cila është e lidhur ngushtë me muzikën, dhe dëshiroj të përmend se unë nuk e kam trashëguar jo vetëm talentin nga babai im, por edhe etikën e tij të punës dhe mënyrën e tij të të menduarit. Babai im është një pjesë interne e ekipit tim dhe kemi një lidhje shumë të ngushtë mes vete. Ai është miku im, këshilluesi im dhe njeriu që kam më së shumti besim, dhe ai është gjithmonë aty për gjithçka.

Telegrafi: Ka këngëtarë tjerë të suksesshëm shqiptarë në industrinë e muzikës botërore si: Rita Ora, Bebe Rexha dhe Era Istrefi. Çfarë mendimi ke ti për to dhe a ndjeheni e lumtur që jeni duke i bërë shqiptarët krenarë?

Dua Lipa:  Unë jam gjithmonë krenare për të gjithë bashkëkombësit e mi dhe sukseset e tyre dhe sa herë që dëgjoj gjëra të mëdha për ta, më bën edhe më krenare fakti që jam shqiptare.

Dua thotë se është krenare për emrat tjerë të suksesshëm shqiptarë si: Rita Ora, Bebe Rexha dhe Era Istrefi (Foto: Getty Images)

Telegrafi: Nëse në një të ardhme do të jepej mundësia, do pranonit të bëni një bashkëpunim me to?

Dua Lipa: Bashkëpunim? Ndoshta një ditë nëse do të gjejmë kohë dhe hapësirë për të bërë diçka së bashku.

Telegrafi: Dua, a ka diçka që fansat shqiptarë nuk dinë rreth teje, dhe që do të dëshironit ta ndani me ta në këtë intervistë?

Dua Lipa: Ndoshta e kam thënë me mijëra herë, por vetëm dua të them një milion herë faleminderit të gjithë adhuruesve të mi që më kanë mbështetur dhe kanë besuar në mua që prej fillimit, dhe jam jashtëzakonisht e lumtur që kam mundësinë t’i i bëjë edhe ata krenarë.

Dua: Faleminderit fansa që më mbështetët dhe besuat te unë që në fillim (Foto: IDGAF/YouTube)

Telegrafi: Dua, faleminderit shumë që ishe pjesë e kësaj interviste. Për fund, cili do të ishte mesazhi yt drejtuar shqiptarëve në mbarë botën?

Dua Lipa: Faleminderit juve Telegrafit për mbështetjen tuaj, dhe mesazhi im i vetëm do të ishte: Ashtu si në festivalin “Sunny Hill”, ndani dashurinë tuaj me miqtë dhe ndjenjat tuaja të bukura që bota t’i shohë. Me shumë dashuri, e juaja Dua. /Telegrafi/

Exit mobile version