Superylli shqiptar, Dua Lipa, po qëndron në vendin tonë dhe është treguar mjaft modeste para publikut.
Ajo edhe pse nuk performoi në mbrëmjen e dytë të Sunny Hill Festival, qëndroi në zonën VIP duke përcjellë nga afër festivalin që po e organizon babai i saj, Dukagjin Lipa.
Që nga momenti i arritjes në vend, ajo ka qenë nën radarin e gazetarëve vendorë e ndërkombëtarë.
Ndërkaq, faqja e njohur në Instagram, WhatTheyWearin ka publikuar imazhe mbi koston e veshjes së Dua Lipës.
Veshja e Duas me të arritur në vend e fotografuar në aeroport e shfaq atë me një fustan nga Emilio Pucci nga koleksioni Resort 2019, çmimi i të cilës nuk dihet.
Syzet e saj Prada Ultravox kushtojnë hiç më pak se 325 euro, kurse këpucët nga Alexander Vauthier ngjyrë pink kushtojnë hiç më pak se 935 euro.
Në konferencën për shtyp të mbajtur para gazetarëve në Prishtinë, Dua Lipa u shfaq me një fustan nga Christopher Kane, e fustani i kristalt kushton hiç më pak se 1165 euro.
Veshja që tërhoqi më së shumti vëmendjen ishte ajo në natën e performimit të saj, veshja kuq e zi.
Suita e trupit nga Murmur pati kosto prej 380 eurosh, kurse pantollonat Namilia kishin vlerën e 260 eurove, pra dukja e Duas nuk ishte edhe aq e shtrenjtë.
Superylli shqiptar po shijon kohën në vendlindje para angazhimeve të reja të saj muzikore, pasi pritet që shpejt t’u kthehet studiove muzikore për angazhime të reja. /Telegrafi/