Artistja shqiptare me renome botërore, Dua Lipa, po përdor në maksimum ndikimin e saj në rrjetet sociale, për t’iu kërkuar popullit amerikan që të dalin në votime, në zgjedhjet e nëntorit.
Ajo ka dalë hapur në mbështetje të kandidadit demokrat, Joe Biden, duke motivuar fansat e saj që të votojnë kundër presidentit aktual, Donald Trump.
Së fundmi, këngëtarja me origjinë nga Kosova ka realizuar një intervistë “live” me senatorin amerikan, Bernie Sanders.
Ata kanë diskutuar rreth rëndësisë së daljes në zgjedhje dhe kryerjes së obligimit qytetar.
Dua publikoi në rrjetin social tërë bisedën, duke dhënë edhe këshillat për regjistrim.
“Këto zgjedhje do të përcaktojnë përgjigjen në një nivel shtetëror dhe lokal ndaj pandemisë, vendeve të punës, kujdesit shëndetësor, ndryshimit të klimës, reformës policore dhe krizës së refugjatëve. Siç thotë njeriu i madh, këto janë zgjedhje që nuk keni mundësi t’i rrini ulur. Shikoni kush do të jetë në fletën tuaj të votimit dhe kontrolloni të dhënat e tyre të votimit në ballotready.org dhe bëni planin tuaj të votimit në iwillvote.com. Vota juaj është superfuqia juaj, përdoreni !!”, ka shkruar Dua Lipa.
Artistja në anën tjetër po vazhdon ende të shijojë suksesin e albumit të saj “Future Nostalgia”, që e publikoi këtë vit. /Telegrafi/