Në Këshillin Atlantik, artistja shqiptare Dua Lipa, është takuar edhe me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Derisa u shfaqën disa momente të tyre së bashku, këngëtarja me origjinë nga Kosova i kërkoi kryetares edhe liberalizimin e vizave për Kosovën.
26-vjeçarja, e lindur në Londër, tha se pasi Kosova ka mbushur të gjitha kriteret dhe Komisioni Evropian ka rekomanduar liberalizimin e vizave për më shumë se tre vjet më parë, ‘a nuk është koha të arrihet tani?’.
“Të rinjtë luftojnë për të gjetur punë dhe mundësitë e tyre pengohen nga kufizimet që e bëjnë të vështirë udhëtimin për punë ose kënaqësi. Pasi kemi përmbushur të gjitha kriteret, Komisioni Evropian në fakt ka rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën për më shumë se tre vjet më parë. Pra, a mendoni se ne mund ta arrijmë atë tani?”, ka qenë pyetja me të cilën i është drejtuar Von der Leyen.
“Kosova është edhe shteti më i ri në Evropë në një mënyrë tjetër. Janë vetëm 13 vjet të shkurtra në rrugëtimin tonë të pavarësisë. Dhe si pjesë e një komuniteti të fortë ndërkombëtar ne do të lulëzojmë emocionalisht. Ne do të lulëzojmë edhe ekonomikisht e kulturalisht. Është në gjenet tona. A nuk do të ishte e përshtatshme nëse Kosova mund të zinte vendin e saj brenda atij bashkimi paqësor, të lulëzonte ekonomikisht përkrah fqinjëve tanë dhe të shëronte lëndimin e konfliktit të fundit?”, vazhdon më tej bukuroshja shqiptare.
Krejt në fund, Dua ftoi edhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, gjersa iu drejtua: “Ftoj në skenë lideren e re të Kosovës, shkëlqesinë e saj, presidenten Vjosa Osmani”.
Në përvjetorin e 60-të të ndarjes së çmimeve, krijuesja e hitit “One Kiss” u nderua si “Artistja e shquar e vitit 2021”. /Telegrafi/