Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, kishte paraparë të realizonte turneun e saj “Future Nostalgia” këtë vit, për të promovuar këngët e albumit me po të njëjtin emër.
Mirëpo pandemia globale COVID-19 ia pamundësoi realizimin e këtij turneu dhe si rrjedhojë ai u shty për vitin e ardhshëm.
Fillimisht ishte paraparë të mbahej në muajt e parë të viti 2021, pro që situata pandemike duket se ka bërë që ky turne të shtyhet prapë – kësaj radhe për në muajt e fundit të vitit 2021.
Përmes një postimi në rrjetin social Instagram, Lipa ka njoftuar për datat e reja të truneut, duke u kumtuar fansave me zemër të thyer faktin se ai u shty prapë.
“Me një zemër të thyer do të shtyj turneun tim të ardhshëm evropian për në shtator dhe tetor të vitit 2021. Ne kemi vazhduar të monitorojmë këtë situatë të paparë dhe në ndryshim, dhe është bërë e qartë se nuk është e mundur të vazhdohet me turneun në janar dhe shkurt . Ju lutemi mbani biletat tuaja pasi ato mbesin të vlefshme për datat e planifikuara. Më mungon të qenurit në turne më së shumti gjatë kësaj kohe dhe mezi pres të ribashkohem me të gjithë dhe të festoj së shpejti! Në ndërkohë ju premtoj se do të shfaqen disa gjëra zbavitëse që shpresoj se do t’ju mbajnë gjatë gjithë kohës. Qëndroni të sigurt dhe kujdesuni për veten tuaj. E juaja, Dua”, ka shkruar Lipa në njoftimin e saj.
Albumi “Future Nostalgia” përndryshe ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm këtë vit, duke u renditur si albumi i parë më i dëgjuar në Spotify, i një artisteje femër. /Telegrafi/