Teatri “Dodona” nga sot e tutje do të ketë uebfaqen e vet zyrtare, nga ku të gjithë të interesuarit rreth shfaqjeve mund të marrin informatat e nevojshme aty.
E lansimi i kësaj uebfaqe së bashku me sistemin elektronik të biletave është mundësuar nga Fondacioni “Sunny Hill”, nën patronatin e artistes së famshme ndërkombëtare, Dua Lipa.
Në një njoftim zyrtar të bërë në rrjetin social Facebook, Teatri “Dodona” ka njoftuar qytetarët për uebfaqen e tyre të re, ndërsa ka falëenderuar përzemërsisht Duan dhe fondacionin “Sunny Hill” për këtë dhuratë të veçantë.
“Jemi shumë të lumtur që po e lansojmë uebfaqen e re të Teatri të Qytetit të Prishtinës Dodona dhe ju ftojmë ta vizitoni atë deri në takimin e ardhshëm në skenën tonë.
Kjo uebfaqe, sistemi elektronik i biletave, të cilin e kemi lansuar në shtatorin e vitit të kaluar si dhe dizajnet e bukura me njoftime për shfaqjet tona, që i kemi postuar përgjatë tërë vitit të kaluar, janë pjesë e donacionit në vlerë prej 5,000 EUR nga Fondacioni Sunny Hill.
Falënderojmë përzemërsisht Fondacionin Sunny Hill dhe patronen e këtij festivali, të mrekullueshmen Dua Lipa, për këto dhurata të bukura.
Poashtu e falënderojmë agjencinë e marketingut digjital – Digital Republic, që me shumë mjeshtëri e finesë e ka bërë realizimin e këtyre produkteve për Dodonën”, shkruhet në njoftimin e faqes së Teatrit “Dodona” në Facebook. /Telegrafi/