Site icon Telegrafi

Dronë, pajisje ushtarake e shtim ushtarësh, çka bëri FSK në vitin 2023?

Foto: Arkiv

Një pajisje e sofistikuar që për shumë kohë mungonte i ushtrisë së Kosovës, në vitin 2023 FSK-ja arriti ta fusë në flotën e armatimit të saj.

Bëhet fjalë për Dronët Bajraktar, blerja e të cilëve po konsiderohet ndër sukseset më të mëdha të ushtrisë së Kosovës, që arriti në vitin që lamë pas.

Por, i gjithë ky institucion mbrojtës i Kosovës nuk është shoqëruar pa telashe.

Ministri Armend Mehaj nuk arrit ta çojë mandatin deri në fund, andaj edhe u zëvendësua me Ejup Maqedoncin, i cili la uniformën ushtarake për të hyrë në kollare të ministrit.

Në Ministrinë e Mbrojtjes mburren se në vitin 2023 korrën goxha shumë suksese.

“Për t’u përmendur ndër më madhorja është fakti që për Ministrinë e Mbrojtjes janë ndarë mbi 200 milionë euro, e kjo na ka ndihmuar t’i krijojmë vetës hapësirën e nevojshme, që t’i orientojmë investimet në disa drejtime“, ka thënë zëdhënësja e ministrisë së Mbrojtjes, Liridona Gashi.

E pavarësisht që raportime pati se një numër i ushtarakëve hoqën dorë nga uniforma e FSK-së, ngjan se më shumë ishin ata që ia mësynë të marrin emrin ushtar.

“Është investuar edhe në armatime por edhe në trajnime dhe shkollime të ushtarakëve, krahas numrit të rekrutëve të rinj që këtë vit ka shkuar në 612 aktivë dhe 95 rezervë, nga fillimi i mandatit i bie që janë rekrutuar 1836 pjesëtarë të rinj”, vijon ajo.

Ndërkohë, aktualisht duket se pika e fortë e FSK-së është Qendra e Kërkim Shpëtimit.

Përveç që janë shembullor në çdo tërmet a rrethanë tragjedie në Kosovë dhe jo vetëm, ata po trajnojnë gjithë botën në këtë fushë.

“Qindra pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Shteteve Partnere, duke përfshirë këtu, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Italinë, Italinë pastaj Hungarinë, Portugalinë dhe disa vende tjera, dhe së fundmi kemi trajnuar 66 pjesëtarë nga Holanda, më të cilët kemi filluar etapën e re të shërbimeve trajnuese me pagesë”, ka shtuar ajo.

Gjatë vitit 2023 është miratuar Strategjia e Mbrojtjes përderisa edhe Projektligji për Agjencinë e Inteligjencës për Siguri dhe Mbrojtje, teksa po ky vit shënon gjysmën e 10 vjetorit, që parasheh tranzicioni i FSK-së prej kur u bërë ushtri 5 vite më parë./RTVDukagjini/

Exit mobile version