Site icon Telegrafi

Dritëro Agolli për Kosovën, Çamërinë, politikën, besimin dhe letërsinë

Takohem me Agollin, si gjithmonë, përzemërsisht. Ai s’mbetet kurrë pa vizitorë. Ata janë pothuajse të përditshëm dhe ndryshojnë shumë nga njëri-tjetri: politikanë, deputetë, artistë, shkrimtarë, poetë, diplomatë, gazetarë, etj. Mirëpo, të mirëpriturit e veçantë të shkrimtarit të madh, janë edhe njerëzit e thjeshtë, ata që mbajnë në shpinë barrën e halleve.

Mihal Gjergji

Ai ta lexon menjëherë mendimin që të tundon, mirësinë apo ligësinë që mban brenda shpirtit, të shikon në dritë të syrit, dhe sipas kokës të pret edhe “festen”. Mosha s’e pengon për të qënë vëzhgues i kujdesshëm, për të sunduar tavolinën e bashkëbisedimit, për të gjetur e peshuar mirë fjalët, për të bërë pak humor, i cili është mishëruar brenda natyrës së tij. Një sjellje çuditërisht e ngjashme me atë të Lasgush Poradecit. Poetët e mëdhenj, mbase kanë shumë gjëra të përbashkëta. Po të ndjekësh me vëmendje gjestet, fjalët, tonin e zërit, lëvizjet, bindesh që Agolli vazhdon të vigjilojë në karakollin e kohës, duke përballuar të papriturat e saj, ndërsa brenda qenies së tij, është i gjallë mendimi që ka shprehur në vargjet e veta:

“Ndodh të kem pak gjumë e të gremisem /Mbi një shkëmb si cub e si kaçak /Por si presh i zier nuk zvarrisem /Vdes diku si një Shahin Matrak“. Mbasi kemi kthyer gotat e para, që shoqërojnë kafen e mirëseardhjes, i flet Sadies t’i mbush përsëri. Atëherë , ti e kupton që je në udhë të mbarë dhe ndjek fillin e bisedës. Për moshën s’duhet të qahemi-e thyen heshtjen Agolli-duke ndezur cigaren. Në pleqëri, njeriu asnjëherë s’mund të kënaqet, por kjo s’do të thotë që të humbasim durimin. Vjen kjo e shkretë pa të pyetur, por duke të paralajmëruar pak e nga pak. Natyrshëm, biseda fillon me hallet njerëzore, pastaj kalojmë te letërsia, objekt i së cilës është edhe kjo intervistë, mirëpo, atë që s’donim ta trajtonim, zhvillimet politike, jo vetëm që bën vend si e paftuar në tryezën tonë, por zë edhe “qoshenë”. Sa më shumë t’i shmangesh politikës, ajo e gjen një mënyrë për të qëndruar përballë e për t’u futur në ritmet e ditës.

Agolli, si e mendoni të nesërmen e Kosovës? Unifikimi i ritmeve të zhvillimit mes dy vendeve të banuara nga i njëjti popull, por të ndarë nga një kufi politik, çfarë ndryshimesh mund të sjellë?

Faza në të cilën ndodhet Kosova, është e parafundit. Them e parafundit, sepse në mënyrë të natyrshme do të vijë edhe bashkimi i saj me Shqipërinë, që do të shënojë edhe fazën përfundimtare. Pjesa më e përparuar do ndihmojë tjetrën dhe në një kohë të shkurtër, do bëhet edhe unifikimi i ritmeve të zhvillimit. Kur të ndodhë bashkimi, Shqipëria do jetë një faktor akoma më i rëndësishëm stabiliteti në Ballkan.

Po për Çamërinë, çfarë mendoni. A duhet të shpresojnë çamët për trojet e tyre?

Ka një ndryshim rrënjësor mes Kosovës dhe Çamërisë. Atë që serbi s’mundi ta realizonte dot në Kosovë, fatkeqësisht e realizoi greku në Çamëri. Kosova është e banuar nga shqiptarët, ndërsa Çamëria është zbrazur prej tyre, me mënyrat që tashmë dihen nga të gjithë. Në këto kushte, është koha ajo që do bëjë edhe zgjidhjen e duhur, në përputhje me zhvillimet rajonale.

Cilën do veçonit nga veprat e Qoses?

Ato qëndrojnë denjësisht krahë njëra-tjetrës, por do të veçoja “Popull i ndaluar”. Brenda kësaj vepre, është Kosova, me djepet dhe varret e saj, ndihet frymëmarrja njerëzore, dhimbja e saj për plagët që kullojnë gjak, vikama e fëmijëve të mbetur pa prindër, psherëtimat e nënave të mbetura pa fëmijë, zëri i një populli që duan ta lënë pa të ardhme. Brenda saj, pasqyrohet përballja e madhe e popullit të Kosovës me dhunën dhe represionin serb, qëndrimi i përfaqësuesve të politikës së atjeshme shqiptare dhe inteligjencës qytetare, mënçuria dhe guximi i vetë autorit të librit, etj.

A duhet kritikuar Rexhep Qosja?

Edhe Homeri fle, është një shprehje e popullit.

Që do të thotë…?

…Që do të thotë se edhe ai mund të gabojë. Por, kritika dashakeqe, nisur nga interesa të ngushta egoizmi, smire apo paternalizmi, kurrsesi s’duhen bërë, jo vetëm ndaj tij, por ndaj çdo personaliteti të atij niveli. Për shembull, unë s’do ta mbështetja mendimin e shprehur nga Qosja, se letërsia shqipe s’ka vlera evropiane, por kjo s’do të thotë që unë të filloj nga sharjet. Besoj se e ka thënë në një moment zemërimi, edhe ai është prej mishi e gjaku, si gjithë të tjerët, prandaj duhet mirëkuptuar. Ballkani është një provincë krahasuar me botën e madhe, aq më keq popuj të veçantë brenda gadishullit, por ka krijuar vlera të mëdha. Greqia p.sh, mes personaliteteve të shquara, që i ka të shumtë, ka nxjerrë edhe pesë nobelistë: Elitis, Seferis, Kazanzaqis (kandidat) etj.

Po nga Shqipëria, kë do veçonit?

Shqipëria ka nxjerrë personalitete të tjera të shquara, si : Naimi, Fishta (i propozuar për Çmimin Nobel) Mjeda, Migjeni, Fan Noli etj. La Martíni do të thoshte për De Radën e madh se “vjen andej nga lindi poezia”. Ne duhet të krenohemi me gjuhëtarët e pakrahasueshëm : Kostallari, Konda, Çabej etj., historianët që i kanë zili vendet evropiane, si Buda, Zamputi, Xoxi, Frashëri, Xhufi etj., studiuesit e talentuar, kritikët dhe përkthyesit shumë cilësor etj. Unë i çmoj Esat Mekulin, Azem Shkrelin, Ali Podrimën, Agim Vincën, Ali Aliun, e të tjerë krijues të nivelit të tyre, sigurisht, për aq kontribut sa kanë dhënë. Duhen vlerësuar veprat e Ismail Kadaresë, përkthyer në shumë gjuhë dhe të njohura jo vetëm në Evropë, Fatos Kongoli për romanet e tij të fundit, Moikom Zeqo për krijimtarinë e bollshme e të arrirë, mendimin e fuqishëm poetik të Lasgush Poradecit, Fatos Arapit e Xhevahir Spahiut, lirikët e mrekullueshëm e të mirënjohur: Agim Shehu, Koçi Petriti, Jorgo Bllaci, Arben Duka etj., E megjithatë, Rexhep Qosja, duke mbrojtur çështjen kombëtare, ka mbrojtur edhe interesat e krijuesve shqiptarë, që kontribuojnë me veprat e tyre, edhe pse jo të gjithë kanë mundësi ekonomike për t’i promovuar ato në gjuhë të tjera. Kjo s’mund të bëhet veçse me ndihmën e shtetit, të institucioneve të veçanta të tij. Ndoshta, në një të ardhme mund të realizohet një gjë e tillë, për veprat më të arrira të autorëve tanë.

Ku do ta kërkonit analizën e thellë dhe forcën e arsyes: në mendimet kritike të Nolit apo Konicës?

Ka shumë gjëra që i ndajnë Nolin dhe Konicën, megjithëse i ka bashkuar çështja shqiptare. I pari është një njeri me formim të shëndoshë kulturor, i brumosur me një qytetari të spikatur. Si shqiptar, e ka provuar përkushtimin e tij shpirtëror e moral, ndaj interesave të këtij vendi. Ky burrë i madh, meriton të quhet tribun i përparimit. Si krijues, Noli është i pakrahasueshëm, si poet dhe si prozator. Këtë e kanë deklaruar edhe personalitete të kulturës botërore, bashkëkohës të tij. Si përkthyes, kryesisht i greqishtes së vjetër, anglishtes, persishtes etj., Noli ishte etalon i përsosmërisë. Në sajë të mjeshtërisë së tij, lexuesi shqiptar është njohur me Ibanjezin, Serevantesin, Khajamin, Shekspirin, Llongfelloun etj. Ai themeloi kishën autoqefale shqiptare, duke u bërë kështu, misionar shpirtëror në çështjen e bashkimit kombëtar.

Ndërsa, për Konicën, nuk di që të ketë filluar një punë dhe ta ketë shpurë deri në fund. Megjithëse me një formim të plotë, të zgjedhur dhe të pandërprerë, beu i ri i Konicës s’mundi të zhvishej dot nga fodullëku i oxhakut të cilit i përkiste. Brilant me prozën e tij të shkurtër, mirëpo shumë i kursyer. Kishte një informacion të shumtë për Shqipërinë dhe shqiptarët, falë gjuhëve të shumta që zotëronte, përsëri s’i hodhi në letër. S’e përfundoi librin e tij “Shqipëria – kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore”, parathënien e së cilës e ka shkruar Fan Noli. Kishte ide interesante dhe mjaft të përparuara për gjuhën shqipe, për të gjetur një zgjedhje të vlerave më të mira mes toskërishtes dhe gegërishtes, e prapë s’e vazhdoi më tutje. Kishte meritën e botimit të revistave “Albania” dhe “Drita” që propagandonin idetë për pavarësinë e Shqipërisë, meritën e zbulimit të flamurit të Skënderbeut etj., mirëpo ishte një njeri plot kontradikta. Mbështet Esat Toptanin dhe s’përkrah Ismail Qemalin, lufton për pavarësinë e Shqipërisë dhe shpreson te mbështetja e Italisë edhe pse e di që është pushtuese, shan vëllezërit Frashëri dhe pastaj kthehet t’i lavdërojë. Ja, ky është Konica. Mungesa e familjes ka krijuar tek ai një zbrazëti e klimë të ftohtë, e cila mund të ketë ndikuar pastaj edhe në polemikat e tij të ndryshme.

Gjuha e ashpër e politikës ka zbritur deri tek njerëzit e thjeshtë. A do arrijë inteligjenca shqiptare të bëhet imponuese dhe të frenojë arbitraritetin e saj?

Edhe politika është inteligjencë, madje më e kualifikuar. Teoria e dijetarëve të lashtë grekë, si Platoni etj., se: duhet të udhëheqin filozofët, e ka humbur vërtetësinë, d.m.th, ka rënë poshtë. Shkencëtarët dhe filozofët kanë shumë hamendje dhe ngrenë dyshime pa fund, për çdo hap të hedhur, që do të thotë se mbeten në vend. Prandaj, është detyrë e politikanëve të reformojnë vendin dhe të reformohen në përputhje me kushtet dhe situatat e krijuara, d.m.th, vazhdimisht të ndryshojnë diçka brenda vetes.

De Goli pas dorëheqjes u ringrit përsëri në pushtet, mirëpo meqenëse drejtoi si në kohën e luftës dhe s’mundi të ndryshonte, dështoi, Çurçilli po kështu etj.

Raste të tilla ka pa fund. Komunizmi në Shqipëri dështoi, sepse krizat e krijuara s’mund të zgjidheshin me të njëjtat mënyra dhe prona kolektive s’mundi të plotësonte nevojat e konsumit. Drejtuesit e asaj kohe s’pranonin ndryshimin brenda vetes dhe në platformat e tyre u detyruan kështu të dështojnë.

Sikur betejat luftarake t’i drejtonin politikanët dhe jo strategët, bota do vazhdonte ende të mbytej nga gjaku. Shkencëtari duhet të punojë në laboratorin e tij, akademiku në studio, kirurgu në sallën e operacionit, ushtaraku në krye të formacioneve luftarake, ndërsa shtetin duhet ta drejtojnë politikanët e shkolluar për artin e drejtimit. Inteligjenca shqiptare që është jashtë lojës politike, s’mund të ndikojë fare në uljen e tensioneve për të cilat po flasim.

Në këto kushte, çfarë sugjeroni?

Vetëm pjesa e emancipuar e inteligjencës, pjesëmarrëse në politikë, deputetë, ministra etj., që janë të lidhur shpirtërisht me fatet e këtij vendi, pra që janë atdhetarë, vetëm ata kanë mundësi të ndihmojnë në uljen e tensioneve dhe zbutjen e klimës politike, ndryshe, ata që s’pranojnë ndryshimin në përputhje me kushtet që krijohen, janë të destinuar të humbasin vetë, por edhe fatet e popullit të tyre. Në këto kushte, inteligjenca e pushtetshme dhe e përgjegjshme, duhet t’i kujtojë politikës se: i përjetshëm është vetëm populli, prandaj, interesat e tij duhet të dalin në plan të parë

Poezia juaj ka brenda satirën dhe vargun pamfletik, fuqinë e kompozimit, simbolikën dhe figura mjaft të realizuara e tepër intensive, karakteristika këto të përbashkëta me poezinë e Viktor Hygoit (kryesisht vargjet shumërrokësh). Si shpjegohet kjo ngjashmëri, ndërkohë që poezia juaj mund të ishte ndikuar nga ajo ruse, lirikët e mëdhenj të së cilës, jo vetëm i njihni shumë mirë, por edhe i keni përkthyer në gjuhën shqipe?

Sigurisht që kjo është një rastësi. Unë e njoh mirë dhe e çmoj shumë poezinë e fuqishme të Hygoit. Ai është ndër poetët më të mëdhenj të Francës, mirëpo, kjo ngjashmëri, e cila ndodh edhe mes autorësh të tjerë, mbase ka një gjë të përbashkët: njeriun e punës, atë që rropatet për të siguruar mbijetesën. Zhan Valzhani i tij është i pakrahasueshëm, është model i njeriut të paepur. Edhe unë kam rendur pas këtij njeriu; pas luftëtarit të pushkës në rreshtat partizane, pas njeriut të halleve në jetën e vështirë, në krahë të njeriut të penës, në fushën e dijes. Me këta personazhe kam ndërtuar romanet e mia, kam ushqyer poezinë, kam frymëzuar prozën. Pastaj, Hygoi ka qenë edhe i internuar, sepse perandori Lui Bonoparti nuk e donte. Në përgjithësi, diktatorët nuk i përkrahin krijuesit që guxojnë, ata që s’mund të jenë veçse të lirë. Veçanërisht poetët s’mund të jetojnë dot të pushtuar.

Përse të ndodhin këto?

Sepse inteligjenca bëhet pengesë për ozurpatorët. Ka dy lloj pushtuesish: të jashtëm, kur vendin tënd e pushtojnë të huajt dhe ti detyrohesh të luftosh me armë në dorë, dhe të brendshëm, kur diktaturën e instalojnë njerëzit e tu, të popullit tënd. Kjo është më e rrezikshmja dhe më e rënda peshë që mund të durojë njeriu, aq më tepër krijuesit. Shumica e krijuesve provojnë pushtimin e brendshëm, por ka edhe fatkeq që, sa rrëzojnë barrikadën e parë, atëherë kur presin të gëzojnë frytet e punës së tyre, përballen me atë që s’e presin, me pushtimin e dytë.

Franca ka njohur një qytetërim të hershëm krahasuar me vendet e tjera evropiane, apo jo?

Sigurisht. Fenomene të tilla, s’mund të quhen të tejkaluara as në vende të tjera me nivele të larta zhvillimi, pavarësisht nga madhësia e tyre. Kur klasa politike e një vendi i tradhton interesat e popullit, i cili e ka vendosur në krye, atëherë diktatura ka lindur. Kur ndarja mes politikës dhe popullit vazhdon të thellohet pa ndërprerje, diktatura është ligjëruar. Kur popullit i ka vajtur thika në kockë dhe zëri i tij s’dëgjohet, atëherë diktatura është kurorëzuar. Këto gjendje të ndera, mjerisht, i kanë provuar shumë vende, kryesisht ato të varfra dhe të tjera në zhvillim. Evropa dhe Ballkani, ende luftojnë për t’i shëruar të tilla sëmundje të rrezikshme.

Humor i hollë i Dritëroit ka lënë gjurmë në shumë tavolina bashkëbisedimi. Brenda këtyre bisedave është mençuria popullore, e denjë për të qëndruar në krah të artit modern. Cila do të jetë e ardhmja e tyre, do marrin jetë brenda kujtimeve të ardhshme apo…?

Ende s’kam marrë vendimin përfundimtar. Në një farë mënyre s’dua që të “lëndoj” ndonjë bashkëbisedues të asaj kohe, por edhe ndonjë fëmijë, nip apo mbesë të tyre që do ti lexojnë në kohën e botimit. Sidoqoftë do ta gjej një zgjidhje në varësi të kohës.

Edhe në botimet tuaja, humori është ai që shkëndion zjarrin. Si keni mundur që të ruani masën, në raport me tërësinë e veprës?

Periferitë, ose zonat urbane siç quhen sot, kanë mënyrën e tyre të jetesës, kanë edhe kulturën e tyre. Është urtësia popullore te fjala e bujkut apo bariut, është përvoja e gjatë që e mënçuron fshatarin dhe mundet kështu të përballojë e zgjidhë hallet e jetës. Unë kam jetuar në fshat deri në moshën 17-18 vjeçare, mes atij ambienti e atyre njerëzve të mrekullueshëm. Humori është pjesë e jetës së tyre. Fatmirësisht unë mora ‘pjesën time’ dhe e përdora me nikoqirllëk. Mirëpo ka një dukuri, veçanërisht humori, duhet të jetë me masë, le të themi si kripa e gjellës. Brënda këtij humori duhet ta ndjejë veten edhe autori i shkrimit, d.m.th. krijuesi. Poezia në mënyrë të veçantë, është shumë sqimatare, e kërkon humorin atëherë dhe aq sa duhet. Do të thosha se edhe veprat më serioze kanë nevojë për një dozë humori, për një rreze drite…

Po për botimet biografike, cili është mendimi juaj?

Para shumë vitesh, një kolegu im–shkrimtar, më kërkoi mendim. Donte të shkruante një roman jetëshkrimor ose monografi, për një personalitet të shquar të kohës. I thashë që të mos lodhej, mirëpo e mori si mosvlerësim ndaj personit të tij dhe u revoltua. Më tha se shoku filan është ashtu e kështu…Dakort i thashë, por a di gjë ti, se cila është jeta e tij e panjohur nga publiku, lidhjet e fshehta dashururore të kohës së rinisë, apo të sotshmet, preferencat e hershme dhe hobit e tanishme, etj. Kolegu heshti. I tregova pastaj për jetëshkrimin e Abraham Linkolnit që e kisha lexuar, sesi shkoi me tren për të marrë detyrën e re në presidencë, lidhjet e tij me punëtorët e thjeshtë, nga të cilët e shkëputi fati etj. Pikërisht, gjërat intime, të pathëna e të panjohura, e bëjnë veprën intriguese për lexuesin. Pastaj, po ta shikosh kalanë nga afër, duket vetëm porta e hyrjes, ndërsa nga larg, duken edhe kullat e vrojtimit, frëngjitë, lartësia e mureve etj. Faktori kohë është shumë i rëndësishëm, kryesisht për krijuesin, sepse piqen mendimet dhe vepra merr vlera.

Mos duhet ta konsideroj këtë si përgjigje ndaj propozimit tim, për të shkruar një monografi tuajën të ardhshme?

Aspak. Unë i lexoj me kënaqësi shkrimet e tua dhe i çmoj ato. Megjithatë, s’do të hiqja dorë nga sugjerimi që i bëra kolegut për të cilin folëm më lartë. Çdo gjë në kohën e duhur.

Mendoni se njeriu ka kohë për t’u turpëruar edhe në moshë madhore?

Jo vetëm kaq, por të shkruash për bashkëkohësit ka edhe vështirësi të tjera, të cilat përsëri i mënjanon koha.

Së fundmi, flitet për një regjistrim të mundshëm të popullsisë sipas përkatësisë fetare. A mund të quhet normale?

Deri në vitet ‘48 apo ‘50, ka ekzistuar një ligj i tillë, pastaj u hoq. Më kujtohet që kam mbushur dy herë formularin e aplikimit dhe kam shkruar: i pafe, megjithëse prindërit e mi ishin bektashinj.

Atëherë numri i ortodoksëve mund të shtohet dhe shqiptarët të dalin në minorancë?!

Janë rreth një milionë shqiptarë që punojnë dhe banojnë familjarisht në Greqi, të vajtur pas viteve ‘90. Shumica e tyre, gjersa kanë ndërruar emrat, mund të ndërrojnë dhe përkatësinë fetare. Pastaj, të mos harrojmë se atdheu i të papunit është puna. Shteti shqiptar s’ka forcë t’u thotë: kthehuni këtu, se do t’iu bëj më të pasur nga ç’jeni. Si fjalë, “ortodoks” me sa di unë, do të thotë, dogmatik, i drejtë, i palëkundur, megjithëse sikush çmon vlerat e besimit të tij. Megjithatë, unë shpresoj se ortodoksët shqiptarë do ti ruajnë dhe shpien më tej, vlerat e krijuara nga paraardhësit e tyre të nderuar, pionierë të rilindjes, si: Jani Vreto, Koto Hoxhi, Pandeli Sotiri, Papa Kristo Negovani etj., të cilët punuan e luftuan aq shumë për lartësimin e kombit.

Në qoftë se edukata e shoqëron njeriun si roje, besimi fetar e drejton andej nga beson ai, se merr edhe bekimin e Perëndisë. Përpjekje dashakeqe do ketë, padyshim. Raqi Qirinxhiut i thanë në Greqi: ti je ortodoks dhe si i tillë je grek. Mirë u tha Raqi, po Pjetri i madh i Rusisë, grek është edhe ai?

Greqia ka meritën e themelimit të bazave të filozofisë, matematikës, fizikës, materializmit, letërsisë, por jo të ortodoksisë. Ortodoksë ka e gjithë bota. Greqia ka shumë gjak shqiptar brenda gjirit të saj, janë më shumë se dy milionë arvanitas. Po ti referohesh folklorit, një këngë e hershme thotë: “Selanik e tatëpjetë/ shqiptare do të jetë…”! Ja që shumë zona dhe qytete të rëndësishme që ishin shqiptare dhe banoheshin prej tyre, sot s’i administrojmë ne.

Koha s’mund të kthehet prapa. Në Parlamentin grek deri vonë flitej shqip, sepse shumica e deputetëve ishin me orgjinë shqiptare dhe shqipen e kishin gjuhën e nënës, madje, edhe në votimin e vitit 1931, përsëri fitoi gjuha shqipe. Mirëpo, meqenëse s’kishte alfabetin e saj dhe ishte një gjuhë që s’shkruhej, u përdor gjuha greke në vend të saj. E përsëri, kryetari i parlamentit grek u drejtohej deputetëve me fjalën shqipe ‘pushoni’ dhe jo me fjalën greke ’skaste’. Në Grenlandë për shembull, banorët kryesorë të saj janë eskimezët dhe një pjesë mongolë. U pushtua nga anglezët, më vonë nga norvegjezët dhe në shekullin e XVIII-të nga danezët, por gjaku i atyre banorëve, pavarësisht nga ndryshimet e sundimeve, mbetet gjak eskimez dhe mongol.

Si i keni shpëtuar ndikimit të prindërve për besimin te Zoti?

Në fshat, kur isha i vogël, shumë i vogël, mbaja një manar, i cili më ndiqte nga mbrapa kudo që shkoja. Mirëpo, një dite prej ditësh, im atë më tha se e kishim caktuar si kurban për babain e Teqesë. S’kisha forcë të kundërshtoja, isha fëmijë, kështu që ndoqa nga pas tim atë, derisa babai i Teqesë e mori shelegun dhe i futi thikën në grykë si një katil. Mbase ky ishte momenti që brenda meje u projektua urrejtja për këta “shërbëtorë” të Perëndisë. Megjithatë, bektashinjtë janë shumë tolerantë nga natyra e besimit, një këmbë e mbajnë në hyrje të teqesë dhe tjetrën te dera e pijetores. Baba Reshati s’mërzitet, sepse këndon edhe vetë këngë dashurie, në pritjet që u bën miqve të tij dashamirës. Naim Frashëri i ka dhënë një pamje shqiptare, bektashizmit. Po të lexosh me kujdes “Qerbelanë”, do shikosh përpjekjet e frashërlliut të mençur, se si përshkruan në mënyrë metaforike Abaz Aliun, fisnikërimin e shpirtit të njeriut, nën ndikimin e besimit te zoti, etj. /Intervista është shkëputur nga libri i Mihal Gjergjit, “Ngjyrat e Mendimit”/

Exit mobile version