Dritan Abazoviq, bartës i listës së koalicionit “E zeza mbi të bardhën” ka deklaruar se do të jetë kundër nëse në rend dite të qeverisë së ardhshme të Malit të zi vihet tërheqja e njohjes së Kosovës.
Politikani shqiptar ka dhënë një intervistë për gazetën serbe “Kurir”, ku Abazoviq ka thënë se pret që Kosova dhe Serbia në të ardhmen të arrijnë marrëveshje, transmeton Telegrafi.
“Sigurisht se do të jem kundër dhe mendoj që ajo çështje nuk do të jetë në rendin e ditës sepse është diçka që ne e kemi përfunduar. Ne nuk duhet të kthehemi pas në kohë. Unë madje pres që Beogradi dhe Prishtina të gjejnë një gjuhë dhe marrëveshje të përbashkët në të ardhmen që do të qetësonte tensionet dhe mundësonte procesin e pajtimit”, pohoi Abazoviq.
“Paqja nuk ka çmim. Të gjithë këtu duan paqe, askush këtu nuk dëshiron luftë, por jetë, biznes… Në këtë moment, vetëm mafia dhe krimi i organizuar janë mundur. Qytetarët e çdo organizate fetare, kombëtare ose politike nuk duhet të ndihen të mundur”, tha ai ndër të tjerash.
Në Mal të Zi kësaj të diele u mbajtën zgjedhjet parlamentare si dhe zgjedhjet lokale në 5 komuna. Dalja në këto zgjedhje ishte masive ku në votime morën pjesë 409880 qytetarë apo 75,9 për qind.
Në këtë situatë, në numrin e deputetëve të opozitës janë edhe katër deputetët e Lëvizjes URA, në krye të së cilës është Dritan Abazoviq, të cilët do të jenë vendimtar për formimin e qeverisë së re. /Telegrafi/