Site icon Telegrafi

Drita tregon fytyrën e kampionit, fiton në frymën e fundit ndaj Feronikelit

Drita ka marrë një fitore të madhe në udhëtim te Feronikeli, pasi ka triumfuar me rezultat 0-1.

Ndeshja nisi me presion të lartë të vendasve në drejtim të portës mysafire, por gjilanasit krijuan rastin e parë të mirë në ndeshje.

Almir Ajzeraj gjuajti bukur brenda zonës, por topin nga vija fatale e largoi mbrojtëi i Niklit, Yll Hoxha.

Vendasit u rikthyen në lojë dhe krijuan dy raste të mira shënimi me Jean Cariocan dhe Bujar Pllanën, por pa sukses pasi goditja e të parit shkoi jashtë portës, ndërsa të dytit ia priti portieri Faton Maloku.

Rastin më të mië në ndeshje e pati Almir Ajzeraj në minutën e 43-të, kur doli i vetëm përballë portierit Florian Smakiqi, por që goditja e tij ishte e plogësht dhe u prit mirë nga numri një i vendasve.

Me rezultatin e bardhë 0-0 përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.

Pjesa e dytë ishte më e varfër sa i përket rasteve, ku vlen të veçohet ai i Hamdi Namanit të mysafirëve, goditja e të cilit shkoi pranë portës.

Në minutën e 93-të, vendasit ishinë shumë pranë golit kur Simonovski goditi bukur brenda zonës, por edhe më mirë priti FAton Maloku duke shpëtuar Dritën

Kampioni në fuqi e gjeti golin e fitores në minutën e 95-të, kur një asistim fantastik nga Astrit Fazliu bëri që Festim Alidema të shënonte një super gol për 0-1.

Deri në fund vendasit provuan, por pa sukses dhe Drita mori një fitore të madhe në udhëtim.

Pas kësaj fitore, gjilanasit rikthehen në pozitën e parë me 50 pikë të tubuara, dy më shumë se Ballkani dhe tri më shumë se Prishtina.

Në anën tjetër Feronikeli mbetet në vendin e gjashtë me 27 pikë.

Ndeshjen e radhës Feronikeli do ta ketë një udhëtim të vështirë, pasi luan në ‘Riza Lushta’ ndaj Trepçës ’89.

Në anën tjetër edhe Drita do të ketë punë të vështirë, kur në stadiumin e qytetit në Gjilan luan derbin lokal ndaj Gjilanit. /Telegrafi/

Exit mobile version