Telegrafi

Drita riktheu titullin – Prishtina fitoi Kupën, Gjilani luajti për herë të parë në Evropë

Superliga prodhoi një garë spektakolare gjatë sezonit 2019-2020 edhe pse me probleme shkaku i pandemisë.

Drita, Gjilani e Ballkani garuan deri në javën e fundit për titullin kampion, ndërsa në fund ishin pikërisht të parët që ia dolën të renditen në krye dhe të fitojnë trofeun.

Skuadra e drejtuar nga Ardian Nuhiu ia doli të grumbullojë 68 pikë, po aq sa edhe Gjilani i vendit të dytë, por ngriti lart titullin falë bilancit pozitiv në ndeshjet direkt.

Drita siguroi pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve, ndërsa Gjilani si i dyti fitoi të drejtën të luajë në Ligën e Evropës.

Prishtina fiton për herë të gjashtë Kupën e Kosovës

Pas një paraqitjeje jo fort pozitive në kampionat, ku nuk shkuan përtej vendit të katërt në renditje, kryeqytetasit ia dolën të triumfojnë me rezultatin minimal 1-0 ndaj Ballkanit në finalen e Digitalb Kupës së Kosovës, zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Një gol i shënuar nga ish sulmuesi i Skënderbeut, Otto John, vendosi fatin e finales së këtij kompeticioni, të cilin Prishtina e fitoi për herë të 6 në histori.

Me këtë mënyrë mori edhe një biletë për të luajtur në eliminatoret e Ligës së Evropës. /Telegrafi/