Site icon Telegrafi

Drita merr fitoren e tetë radhazi, mposhtë Feronikelin dhe vazhdon rrugën drejt titullit

Drita ka triumfuar ndaj Feronikelit me rezultat 2-1, në një ndeshje të dominuar nga gjilanasit.

Skuadra bardh e kaltër golin e parë në ndeshje e gjeti në minutën e 35-të kur shënoi një super gol mesfushori Erjon Vucaj nga distanca.

Me epërsinë minimale të Dritës 1-0 përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.

Kampioni në fuqi i Kosovës e nisi më mirë pjesën e dytë duke barazuar në minutën e 55-të rezultatin në 1-1.

Besmir Bojku shfrytëzoi një pakujdesi në mbrojtjen e vendasve për të barazuar rezultatin në 1-1.

Drita u vërsul në sulm dhe kërkonte golin e epërsisë, teksa fituan një penallti shumë të dyshimtë nga gjyqtari i ndeshjes Selim Isufi.

Ilir Blakcorri u pengua nga Simon Loshi, por ndërhyrja ishte jashtë vijës së 16 metërshit.

Megjithatë penalltinë e fituar në gol e shndërroi qendërmbrojtësi Fidan Gerbehshi për 2-1.

Gjilanasit edhe pas golit të epërsisë dominuan kampionin në fuqi, duke goditur edhe dy shtylla me Haxhimusën e Ajzeran, por deri në fund më nuk pati gola dhe Drita mori fitoren e tetë radhazi.

Drita vazhdon të mbetet në krye të tabelës, teksa tani ka 64 pikë pesë më shumë se përcjellësi i parë që është Ballkani.

Në anën tjetër Feronikeli vazhdon të mbetet sigurt në pozitën e pestë në tabelë me 44 pikë të grumbulluara.

Në ndeshjen e ardhshme lideri i Superligës, Drita luan derbin e javës në kryeqytet ndaj Prishtinës, ndërsa Feronikeli pret Ballkanin. /Telegrafi/

Exit mobile version