Drita ka shënuar fitore ndaj Lirisë me rezultat 4-2 në kuadër të javës së 29-të të Albi Mall Superligës së Kosovës.
Ndeshja nisi shumë mirë për Dritën që arriti të zhbllokojë herët sfidën.
Ishte Meris Maliqi që shënoi në minutën e 10-të për 1-0. Edhe pse kishte raste, me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë.
Me të fillur e dyta, Drita shtoi epërsinë përmes sulmuesit të tyre më të mirë, Blerim Krasniqit që shënoi për 2-0.
Në minutën e 56-të, Drita hipotekoi fitoren kur një harkim i Besnik Krasniqit u devijua nga mbrojtja e Lirisë për 3-0.
Krejt çfarë bëri Liria ishte një gol i Arbër Bashës në minutën e 74-të për 3-1.
Drita në minutën e 84-të, shtoi epërsinë në 4-1 me golin e Albert Dabiqajt nga pika e bardhë.
Liria shënoi edhe njëherë në kohën shtesë për rezultatin 4-2.
Me këtë fitore Drita ngjitet përkohësisht në vendin e dytë me 57 pikë, dy më pak se Ballkani dhe tri më shumë se Llapi që ka një ndeshje më pak./Telegrafi/